Platforma politike e shqiptarëve, rezultat i mosbesimit ndaj shtetit të Maqedonisë

Hartimi i platformës politike nga paritë shqiptare në Maqedoni është rezultat i një mosbesimi që kanë shqiptarët ndaj shtetit të Maqedonisë dhe shprehje e problemeve reale në këtë shtet.

Lajme

13/01/2017 14:20

Zbatimi i kësaj  platforme duhet të diskutohen gjatë bisedimeve për formimin e qeverisë së re dhe jo më kërcënime nga partitë shqiptare, vlerësojnë analistët në Prishtinë, shkruan lajmi.net.

Analisti dhe publicisti, Milazim Krasniqi ka thënë se platforma politike është një projekt ambicioz e që është shpreh problemet reale në Maqedoni.

“Miratimi i Platformës Politike nga partitë shqiptare në Maqedoni, është një projekt ambicioz që shpreh dimensionin e problemeve reale: sociale, politike, ekonomike që kanë shqiptarët në Maqedoni. Si e tillë ajo po ashtu shpreh  mos besim të skajshëm që tashmë shqiptarët kanë ndaj qeverisë së Maqedonisë dhe shtetit maqedon ndaj duhen garancione që për ardhmen të kenë një përmirësim të pozitës të tyre”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka vlerësuar se kërkesat e dala nga kjo platformë duhet të diskutohet gjatë bisedimeve për formim e qeverisë së re, të cilat duhet miratuar në Kuvend para formimit të Qeverisë së Maqedonisë.

“Jo vetëm çështja  gjuhës shqipe por, të gjitha problemet që aty janë shtruar,  tash në fazën e negocimit për qeverinë e re partitë shqiptare do të duhej ti propozonin që t’i shndërrojnë ato elemente të platformës në amendamente, në ligjet adekuate qoftë për gjuhën, decentralizimin e pushtetit etj, pra t’i propozojnë që ato para se të votohet qeveria të miratohen në parlament si ligje, dhe pastaj nëse futen në qeveri nuk kanë më pse negociojnë për platformën por, kanë vetëm zbatimin e ligjeve që miratohen paraprakisht”, është shprehur Krasniqi për lajmi.net.

Ai ka thënë se ky model është njëri nga modelet më të mira që do të ndihmonte që shqiptarët në Maqedoni të hynë në qeveri duke pasur një pozitë të qartë për platformën që do të shndërrohej në ligje të zbatimit të interesave të tyre. Krasniqi ka kujtuar se një model të tillë e ka përdoru Lëvizja Most në  Kroaci.

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu e sheh si të mundur zbatimin e kësaj platforme nëse shqiptaret hynë në koalicion më liderin opozitar në Maqedoni Zoran Zaev dhe duke marr postin e kryetarit të Kuvendit.

“Ajo çfarë është e rrugës që duhet të bëjnë shqiptarët në Maqedoni është që ta refuzojnë koalicionin  me Gruevskin ta bëjnë me Zaevin, të garantuar që posti i parlamentit të jetë shqiptar që të marr zotim se do të përpiqet që t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në Maqedoni, dhe nëse nuk ndodh gjatë këtij mandate të mbetet zotim se do të realizohet”, ka vlerësuar Spahiu, për lajmi.net.

Ditë më parë partitë politke shqiptare në Maqedoni kanë arritur një marrëveshje për hartimin e një platforme politike. Ata kanë kërkuar si kusht për të hyrë në koalicionin e ri qeveritar, barazinë e plotë të statusit të tyre me atë të shumicës maqedonase, si edhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e pushtetit. /Lajmi.net/