Planet e veçanta për Emshirin

Besnik Tahiri prezantoi programin e tij për lagjen Emshir, ku tha se siguria publike dhe lirimi i qarkullimit në këtë pjesë të qytetit janë pikat kyçe në programin e tij.

Lajme

25/10/2013 15:16

Kandidati i AAK’së për Kryetar të Prishtinës, Besnik Tahiri, paraqiti sot programin e tij për lagjen e Emshirit, duke vënë në theks të veçantë sigurinë publike, futjen e rrjetit të energjisë nën tokë dhe ndërtimin e Bashkësisë Lokale.

“Programin që e kemi për mirëmbajtjen e hyrjeve që nënkupton që do të kemi vëzhgim 24 orë të kamerave, ndriçim me poçat LED dhe në të njëjtën kohë ndriçim në kuadër të hyrjeve dhe mirëmbajtjeve që bëhet bëhet përmes dy formave, përmes formës publiko-privat dhe Komunës që e kemi shpjeguar në Lakrishte.”

“Projekti tjetër ndërlidhet me Stacionin policor dhe të Zjarrfikësve. Këtu është jashtëzakonisht e rëndësishme me qenë një qendër, një stacion policor dhe një stacion që e mbikëqyr këtë pjesë përmes parandalimit.”

“Një pjesë tjetër e projektit ndërlidhet me funksionalizimin e Bashkësisë Lokale për të gjithë lagjen e Emshirit. Me themelimin e kësaj, i gjithë dokumentacioni civil merret në Bashkësinë Lokale, ndërsa lagja lidh komunikimin me Komunën e cila mungon.”

Tahiri tha se rrjeti i kabllove elektrike duhet të vendoset nën tokë, së bashku me kontejnerët, për të liruar hapësirë për qytetarët.

“Krejt ky rrjet duhet të shkojë në pjesën nëntokësore por në të njëjtën kohë duhet të vendosen edhe kontejnerët nëntokësorë, që të hapet rruga. Me futjen e këtij rrjeti nëntokësorë, hapet edhe rruga në trotuare por në të njëjtën kohë largohen edhe kontejnerët të cilët janë problematik.”

Tahiri u tha qytetarëve që muri që është i vendosur në këtë lagje duhet të rrëzohet për të lejuar që të bëhet qarkullimi i njerëzve dhe automjeteve.

“Ky mur, duhet me një vendim të Komunës të rrëzohet me urgjencë dhe të krijohet qarkullimi të cilën e kemi paraparë. Këtu krijohet rrugën njëkahëshe. E hapim rrugën për parkingje rezidenciale dhe e lirojmë qarkullimin.”

Ndërkaq ai tha se i duket humbje kohe që të dal në “ecje” e të u a zgjas dorën njerëzve, sepse sipas tij ai këtë gjë e ka bërë tash e 10 muaj.

“Për ne nuk ka kurrfarë sensi që të shkojmë dhe të ja zgjasim dorën dhe të pyesim dikë për halle, për faktin se tashmë është kohë fushate dhe ne po ndërtojmë konceptin tonë përmes një Kontrate. Në këtë kuptim, arsyeja është për të kursyer kohën dhe për të qenë sa më konkret dhe sa më të saktë”, tha Besnik Tahiri.