Plan B për numërimin e votave në Veri
Megjithatë, KQZ ia lejon OSBE’së t’i bartë kutitë e votimit për numërim në QNR, por vetëm nëse nuk ekziston asnjë kusht i sigurisë për ta bërë këtë në vendvotime. KQZ sot urdhëroi rinumërimin edhe të disa kutive të votimit.

Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë një mbështetje kërkesës së Misionit të OSBE’së në Kosovë të cilën e kishte refuzuar tri ditë më parë.
Në mbledhjen e sotme, KQZ i ka lejuar OSBE’së që, në rast se nuk a kushte të mjaftueshme të sigurisë për t’i numëruar fletëvotimet në vendvotime, ashtu siç e parasheh ligji, t’i tërheqë ato për t’i numëruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Shumica e anëtarëve të KQZ’së kanë votuar në favor të këtij opsioni, ndërsa i vetmi që ka kundërshtuar ka qenë përfaqësuesi i Vetëvendosje’s në KQZ, Adnan Rrustemi.
“Do ta lusja edhe një herë KQZ`në që ta shqyrtojë mundësinë, për shkak të përgatitjeve tona më të mira, që të mos jemi në një situatë të befasishme në ditën e zgjedhjeve, që të mendojë edhe për opsionet tjera, që ne të jemi gati me resurset tona, të jemi të përgatitur dhe të mos i lëmë asgjë rastësisë tek çështja e numërimit të votave”, ka thënë Enis Halimi, Kryeshef Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ’së.
Kërkesa është mbështetur edhe nga Kryesuesja e KQZ’së, Valdete Daka.
“Këtë herë është mirë që të kemi një plan rezervë dhe ta mbështesim këtë plan, me të vetmin qëllim – e ai është që procesi të mos dëmtohet, sepse ne nuk e kemi luksin që edhe një herë të organizojmë votime apo të presim që aq shumë të dëmtohet procesi saqë të shkojmë përsëri në rivotim”, ka thënë Daka.
Edhe anëtari i KQZ’së, Betim Gjoshi, është shprehur se “është mirë” që ky organ tani është i përgatitur për të gjitha situatat.
“Unë jam që të kemi një Plan B për këtë pjesë të territorit, që ta kemi të gatshëm nëse na nevojitet, por si plan A duhet të jetë mundësia që të bëhen të gjitha përpjekjet që të numërohen atje votat”.
Anëtari tjetër i KQZ’së, Florian Dushi, i ka dhënë gjithashtu mbështetje propozimit të bërë.
“Nuk po bëjmë kurrfarë zbulimi, por po duam të jemi të përgatitur për të gjitha situatat që mund të na paraqiten atje dhe nuk besoj që ka ndonjë të keqe nëse ne si Plan B të shohim mundësitë dhe ta sjellim atë material në QNR”, është shprehur Dushi.
Edhe Binak Vishaj ka thënë se e mbështet si plan rezervë, por është mirë të provohet të shkohet me planin e rregullt.
Ndërsa Adnan Rrustemi ka thënë se KQZ nuk duhet t’u nënshtrohet kushteve dhe rrethanave “që po konsiderohen jo të rregullta”.
“Unë nuk po e di pse po sillet e njëjta kërkesë por tash në një version pak më të butë, derisa në mbledhjen e kaluar është hedhur poshtë e njëjta kërkesë. Është i kundërligjshëm si aktivitet. Ligji e parasheh që fletëvotimet të numërohen në vendvotime të rregullta. Ne nuk mund ta mbështesim një Plan B siç po thuhet i cili bie në kundërshtim me ligjin”, ka thënë Rrustemi
Në mbledhjen e sotme, KQZ i ka dhënë në mbështetje në parim Qendrës për Numërim dhe Rezultate (QNR) që ta bëjë rinumërimin e 5 vendvotimeve të cilat kanë të bëjnë kryesisht me mospërputhjen e formularëve të rezultateve të kandidatëve.
Gjithashtu edhe katër vendvotime tjera do të rinumërohen për shkak se nuk kanë kaluar auditimin dhe kanë të bëjnë kryesisht me formularin e përputhjes së rezultateve për Kuvendin Komunal.
Koordinatori i QNR’së, Burim Ahmetaj, ka prezantuar raportin për problemet që ekzistojnë brenda rezultateve të listës së kandidatëve.
“Kategoria e parë është kur subjekti nuk ka asnjë votë ndërsa kandidatët kanë vota. Kjo ka ndodhur në 5 vendvotime. Kategoria e dytë është kur subjektet dhe kandidatët kanë vota mirëpo kandidatët kanë më shumë vota sesa subjekti”, ka thënë Ahmetaj.
Problemet që më së shumti janë identifikuar nga QNR janë gjetur në 113 vendvotime ku kandidatët kanë katër vota më shumë se vet partia.