Plagët e hapura viktimat e dhunës po i shërojnë vet, thotë Kurti

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se krimet e luftës krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi janë mbi të gjitha krime të shtetit të Serbisë, që vetëm në luftën e fundit i vrau mbi 10 mijë civilë.

Lajme

16/05/2019 18:33

Kurti ka thënë se për krimet gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, tribunali i Hagës ka vepruar çerek shekulli.

“Gjatë kësaj periudhe kanë qenë dikun 4 mijë dëshmitarë. Nuk kishte rehabilitim e as drejtësi për viktimat krahasuar me përmasat e krimit, janë dënuar 72 serbë, 20 kroatë, 5 boshnjakë, 1 shqiptar dhe 1 maqedon. Nuk janë dënuar dhjetëra mijëra ekzekutorë”, është shprehur Kurti, raporton lajmi.net.

Tutje, ai ka thënë se Gjykata Speciale për krime lufte në Serbi i ka dënuar vetëm 160 serbë për katër luftërat e ish – Jugosllavisë.

“Viktimat nuk janë statistika as kriminelët por duhet t’i shohim statistikat për ta kuptuar përmasën e padrejtësisë. S’ka as kriminelë prapa grilave e as rehabilitim për viktimat, ato plagët e hapura po i shërojnë vet”.

Sipas tij, është e domosdoshme që Kosova ta ketë një hartë të detajuar se kujt iu ushtruan ato krime para 20 viteve.

“Ne sot kemi marrë një letër nga kryetari i Kuvendit, karakterin e së cilës s’mund ta kuptoj plotësisht. Nuk jam optimist sepse fillimi nuk ishte i mbarë ashtu edhe ecuria. Nuk ka kurrfarë kuptimi që kryetari Kuvendit të mbajë fjalim para prokurorëve dhe të pres duartrokitje, ata paguhen për t’i hetuar krimet, nuk janë këtu për të dëgjuar fjalime”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka shtuar se është gabim që të figurojë në dokumentacion fjala lobim – tribunal.

“Unë besoj se është gabim që të figurojë në dokumentacionin tonë të ardhshëm faza e lobimit për krijimin e tribunalit, fjala lobim dhe tribunal nuk shkon. Kjo është çështje drejtësie, nuk mund të themi ja u formua tribunali si rezultat i lobimit”./ Lajmi.net/