Pjesëtarët e MUP’it përballë AKI’së

Disa udhëheqës e zyrtarë të MUP’it në Veri nuk e kanë kaluar verifikimin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, e cila po merret me të kaluarën e tyre. Florin Krasniqi thotë se shumica prej tyre s'e kaluan verifikimin për shkak të kaluarës kriminale.

Lajme

11/12/2013 17:41

Agjencia Kosovare e Inteligjencës po verifikon të kaluarën e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, MUP, të cilët kanë vepruar në territorin e Kosovës.

Marrëveshja e arritur më 19 prill në Bruksel ndërmjet Kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Dacic parasheh shuarjen e strukturave paralele serbe të sigurisë në Veri dhe integrimin e pjesëtarëve të tyre në Policinë e Kosovës.

Dy ditë më herët Qeveria e Serbisë mori vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për pjesëtarët e MUP’it të cilët kanë vepruar në Kosovë, e të cilët parashihet që gjatë këtij muaji të integrohen në Policinë e Kosovës.

Drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj, sot gjatë raportimit të tij para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ka bërë të ditur se shumica e udhëheqësve dhe zyrtarëve të lartë të MUP’it në Veri nuk e kanë kaluar testin,  duke bërë kështu mos-kalimin e verifikimit.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Florin Krasniqi, deklaroi të mërkurën në mbrëmje për lajmi.net se këta pjesëtarë të MUP’it nuk e kanë kaluar testin për shkak të kaluarës së tyre, që sipas institucioneve të Kosovës, është kriteri kryesor për integrimin ose jo të tyre në Policinë e Kosovës.

“Po me siguri s’e kanë kaluar verifikimin, pasi e kaluara e tyre, backgraundi tyre, është kriminal…”.

“Shumica nuk e kanë kaluar verifikimin”, ka konfirmuar për lajmi.net deputeti Florin Krasniqi.

Qeveria e Kosovës ka hartuar planin e saj integrues për pjesëtarët që shprehin interesim për t’u integruar në Policinë e Kosovës.

Sipas këtij plani, në Veri janë hapur afër 250 vende për integrimin e pjesëtarëve serb në Policinë e Kosovë.

Kryeministri Hashim Thaçi, ka thënë se aplikimi në Veri do të bëhet baza krejt individuale, dhe vetëm ata që i plotësojnë kushtet dhe standardet do të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës.

Duke folur për shqetësimin e ngritura se brenda këtyre strukturave mund të përfshihen edhe elemente që kanë një të kaluar kriminale, Thaçi ka siguruar se testimi dhe verifikimi do të ndodhë sikur që ka ndodhur me çdo polic të Kosovës.

“Në asnjë rrethanë nuk do të jetë asnjë individ që do të integrohet në policinë e Kosovës, që ka të kaluar të dëshmuar kriminale”.

“Këtë e verifikon Policia e Kosovës, EULEX’i dhe mekanizmat tjerë të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare”.