Pjesëmarrja në luftëra jashtë vendit është krim

Ramush Haradinaj e quan krim pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën e Sirisë. Ai fton qytetarët “të mos e marrin në qafë veten”, por edhe mos t’i bëjnë dëm Kosovës. Ai pohon se ka rryma të ndryshme ekstremiste, të cilat i quan të dëmshme.

Lajme

08/02/2014 21:10

Ramush Haradinaj ka thënë se të gjithë ata që marrin pjesë nëpër konflikte jashtë Kosovës, të pathirrur nga institucionet vendore, kanë kryer një krim.

Lideri i AAK’së këto komente i bëri në një intervistë për Zërin e Amerikës, duke u shprehur se në Kosovë ka rryma të ndryshme ekstremiste, të cilat i ka cilësuar si të dëmshme.

“Kosova është një shoqëri shume tolerante në kuptimin fesë, në kuptimin e ndjenjave ndërfetare ndëretnike. Ka një tolerancë njerëzore. Është një shoqëri që ka jetuar me këtë tolerancë. Në Kosovë ka një kohë që rryma të ndryshme ekstremiste provojnë me nxënë vend në Kosovë, të cilat janë të dëmshme për Kosovën, të cilat veprojnë në mënyra të ndryshme duke i shkaktuar dëme vendit”.

“Njëra nga këto mënyra, njëra nga pasojat e këtyre rrymave është edhe vullnetarët, qytetarët e Kosovës që shkojnë jashtë vendit për të marrë pjesë ne luftëra. Qytetarët e Kosovës mund të marrin pjesë në veprime luftarake vetëm në rast se shpallet gjendje lufte në bazë të rregullit, nga institucionet e vendit.

“Të gjithë ata që marrin pjesë në cilindo konflikt jashtë vendit, të pathirrur nga institucionet e vendit, atëherë ata veç kanë kryer një krim. Qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë bërë veprim të duhur me e sanksionuar me ligj një sjellje të tillë të njerëzve.”

“Por, unë e shfrytëzoj rastin më i ftu qytetarët e Kosovës, familjarët e djemve, të gjithë ata që kanë ndikim në Kosovë, që mos të bëjnë një krim të tillë dhe të mos marrin në qafë veten, por edhe mos t’i bëjnë dëme vendit tonë”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në vijim të intervistës për Zërin e Amerikës, ka folur edhe për çështjen e reformës zgjedhore. Për shkak të dinamikës së zhvillimeve politike ai thotë se nuk e di a do të mund të përmbyllet reforma zgjedhore.

“E para, në kemi nevojë me e përmbyllë reformën dhe kemi nevojë me shku në zgjedhje me dakordim nga spektri politik, sepse do të ishin edhe zgjedhjet më të mira dhe Kosova ka nevojë të rrisë standardin e zgjedhjeve.”

“Këto që shkuan, ishin të një standardi të mirë, por duhet të vazhdojmë ketë trend, nuk guxojmë të kthehemi prapa. Mirëpo, zhvillimet politike në vend janë me dinamike dhe nuk e di se a do të mund të marrim kohën e duhur që me e përmbyllë të tërën që kërkohet nga reforma zgjedhore. Mund të na ndodhë që të shkojmë në zgjedhje edhe më shpejt.”

“Por, Kosova e ka po ashtu në interes që të sigurojë përfaqësimin e pakicave. Në fakt, komunitetet etnike në Kosovë përfaqësohen në institucionet e Kosovës edhe në legjislativ edhe në ekzekutiv edhe pa vendet e rezervuara. Por, unë dhe Aleanca kemi mbetur të hapur për mundësinë që Kosova me ju ofrue edhe një mandat komuniteteve etnike pra përmes vendeve të rezervuara, por ato megjithatë përfaqësohen në institucionet e vendit.”

Ramush Haradinaj po qëndron për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili po merr pjesë në “Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve”.