Pisonero: Mali i Zi të harmonizojë politikën e vizave me BE-në

Para anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, Mali i Zi do të duhet të harmonizojë plotësisht politikën e vizave me politikat e Bashkimit Evropian, tha për mediat malazeze zëdhënësja e Komisionit Evropian Ana Pisonero. Zonja Pisonero, tha se Mali i Zi pritet të bëjë më shumë në procesin e harmonizimit me politikën e vizave dhe…

Lajme

24/11/2024 19:26

Para anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, Mali i Zi do të duhet të harmonizojë plotësisht politikën e vizave me politikat e Bashkimit Evropian, tha për mediat malazeze zëdhënësja e Komisionit Evropian Ana Pisonero.

Zonja Pisonero, tha se Mali i Zi pritet të bëjë më shumë në procesin e harmonizimit me politikën e vizave dhe se duhet të vendos një regjim vizash për të gjitha këto vende në kohën e duhur.

“Mali i Zi, si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, duhet të njëjtësojë
më tej politikën e tij të vizave me listën e vendeve të BE-së që kërkojnë vizë, veçanërisht në lidhje me vendet që kanë një migrim të parregullt ose rrezik sigurie për BE,” tha zonja Pisonero.

Ajo rikujtoi se harmonizimi me politikën e vizave të BE-së është një detyrim i ndërmarrë nga Mali i Zi për përfitimin e burimeve financiare nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Kjo nënkupton regjimin e vizave për të gjithë qytetarët e vendeve të treta që hyjnë në territorin e Malit të Zi, por që kanë nevojë për vizë në vendet e BE-së.
Ndër vendet që gëzojnë një regjim pa viza me Malin e Zi, por jo me BE-në, janë Armenia, Kazakistani, Rusia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Kuba, Ekuador dhe Turqia.

Çdo vend kandidat pritet të jetë në përputhje me politikën e jashtme të BE-së, duke përfshirë politikën e vizave, përpara anëtarsimit në bllok.

Koha dhe specifikat e kësaj shtrirjeje janë përgjithësisht të lidhura me negociatat e anëtarësimit, veçanërisht me kapitullin 24, i cili mbulon politikën e vizave, menaxhimin e kufirit dhe çështje të tjera.

Kapitujt 23 dhe 24 për shtetin e së drejtës janë më të rëndësishmit, pasi janë të parët që hapen dhe të fundit që mbyllen në negociatat për anëtarësim.

Edhe në raportin vjetor të progresit për Malin e Zi, vihet re se regjimi i vizave ende nuk është i harmonizuar me regjimin e BE-së.

Pas një vlerësimi pozitiv, në qershor të këtij viti Mali i Zi doli nga ngërçi shumëvjeçar dhe zhbllokoi procesin e negociatave për anëtarësim.

Mali i Zi synon të mbyllë të gjithë kapitujt në procesin e negociatave me BE-në deri në fund të vitit 2026, për të mundësuar anëtarësimin në bllok para fundit të kësaj dekade./VOA