Pishinë e Stadium
Isa Mustafa thotë se prioritet do ta ketë investimin në objektet për rininë. Gjithashtu premton se brenda mandatit e ardhshëm katërvjeçar do të ndërtojë pishinën olimpike dhe stadiumin me standarde të FIFA.

Lajme
Kandidati i LDK’së për Kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa, ka shpalosur sot projektin në fushën e sportit dhe rinisë.
Investimin në objektet që janë të dedikuara për rininë, Kryetari aktual i Prishtinës e ka radhitur si prioritetin kryesor për mandatin e ardhshëm.
Moti me borë i ka ndryshuar planet e Mustafës, pasi që projektet për sportin ai i kishte parashikuar që t`i shpalosë në TaukBahçe dhe Gërmi.
Prandaj, e bëri këtë në zyrën e shtabit zgjedhor të LDK’së.
Gjatë mandatit të ardhshëm, sipas Mustafës, Prishtina do ta ketë pishinën olimpike dhe stadiumin me standarde të FIFA.
“Ne në Prishtinë dëshirojmë që ta realizojmë statusin e kryeqytetit, në mënyrë që Prishtina në aspektin e ofrimit dhe ofertës për aktivitete sportive, kulturore dhe rekreative, t`i tejkalojë dimensionet dhe kufijtë e komunës, por të ofrojë atë që duhet të ofrojë një kryeqytet”.
“Pasi kemi përmbyllur me sukses shumë nga investimet që kanë qenë investime emergjente në ekonomi, infrastrukturë, shkolla, në objekte të kulturës dhe shëndetësisë, prioritet kryesor do t`i japim objekteve të cilat janë të destinuara për rininë”.
“Do të fillojmë në vitin e ardhshëm me ndërtimin e pishinës së mbyllur të Gërmisë, që do të jetë me dimensione olimpike. Do të ndërtohet në pjesën jugore të pishinës së tanishme të Gërmisë”.
“Mendojmë se do të përfundojë për dy vjet, në mënyrë që ajo të shfrytëzohet dhe nga qytetarët e Prishtinës dhe nga të tjerët”.
“Do të ndërtojmë stadiumin e futbollit të përmasave dhe kritereve që i kërkon FIFA, e cila është zhvilluar dhe është zgjeruar me planin zhvillimor urban”.
“Është një projekt mjaftë i madh të cilin ne planifikojmë ta realizojmë përmes aktivitetit publiko-privat”.
Isa Mustafa gjithashtu premtoi ndërtimin e së paku 30 fushave sportive brenda dhe jashtë qytetit dhe përmbylljen e punimeve në mbulimin e stadiumit të qytetit.