Pinto largohet nga Barcelona

Pinto do të largohet nga Barcelona, në fund të këtij sezoni. Portieri nuk do të vazhdojë kontratën e tij në Camp Nou, vendim që i krijon telashe të mëdha klubit, që gjatë afatit kalimtar të verës do të humbë edhe Victor Valdesin.

Sport

18/04/2014 10:36

Jose Manuel Pinto ka njoftuar bashkëlojtarët e tij se ky do të jetë sezoni i tij i fundit me Barcelonën, ka njoftuar e përditshmja sportive katalane Sport.

Portieri, i transferuar në dimrin e edicionit 2007-08 do të jetë futbollist i lirë në fund të sezonit dhe ka vendosur të mos e vazhdojë qëndrimin e tij në Camp Nou.

Disa ditë më parë, drejtori sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizarreta pranoi se klubi dhe Pinto kanë arritur marrëveshje për vendimin përfundimtar për statusin e portierit.

Nëse largimi i tij konfirmohet, së bashku me atë të Victor Valdesit të lënduar, i cili tashmë një kohë të gjatë ka njoftuar se do të largohet në verë, atëherë Barcelona duhet të angazhojë dy portierë në fund të sezonit.

Mirëpo, kjo është aktualisht e pamundur sepse FIFA e ka dënuar gjigantin katalan nga shitblerja e futbollistëve deri në verën e vitit 2015.