Piloti i RENEA-s: Ja si realizova 5 mijë fluturime – kam shoqëruar krerët e shtetit e aktorët e Hollywood-it

Në 17 vite eksperiencë si pilot pranë For- cave Speciale të Repartit RENEA, pavarësisht kushteve të vështira të terrenit malor, ka marrë pjesë në rreth 5 mijë fluturime.

Lajme

13/01/2016 19:00

Bëhet fjalë për 65-vjeçarin Shyqyri Dashi, lindur në Koplik të Shkodrës. Në një rrëfim për “Gazeta Shqiptare”, ai tregon me nostalgji momentet më të bukura, por edhe ato më të vështirat, që ka kaluar gjatë kohës që ka qenë pjesë e Policisë së Shtetit.

Babai i tre fëmijëve shprehet për “GSH”, se ndihet krenar për arritjet e tij në gjithë këto vite, duke falënderuar edhe efektivët e RENEA-s për bashkëpunimin e shkëlqyer që kanë pasur, të cilët i cilëson si “heronj të Policisë së Shtetit”.

Më tej, ai tregon se si disa prej elementët më të rrezikshëm kriminalë janë vetëdorëzuar në momentin që kanë parë helikopterët e RENEA-s, apo edhe momentet kur ka fluturuar me krerët më të lartë të shtetit dhe aktorë të Hollyëood-it.

Vetëm pak ditë më parë, kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako zhvilloi një ceremoni me rastin e daljes së tij në pension.
Si ka nisur karriera juaj në Policinë e Shtetit dhe në çfarë moshe keni qenë në atë kohë?
Në Policinë e Shtetit unë kam filluar në muajin maj të vitit 1999. Duke filluar që nga ky vit e deri në 31 dhjetor të vitit 2015, kam shërbyer në forcat e policisë si pilot pranë Repartit Special RENEA. Fillimet e mia të para si pilot i kam nisur në 2 maj të vitit 1970. Në atë kohë kam qenë kursant. Ndërsa, në vitin 1971 jam titulluar pilot pranë Regjimentit të Helikopterëve deri në vitin 1999, më pas kam kaluar në forcat speciale. Fluturimin e parë e kam kryer në aerodromin e Vlorës, ndërsa më 16 dhjetor të vitit 2015 kam bërë fluturimin e fundit në zonën e Tiranës, dhe ka qenë një operacion stërvitor.
Që nga viti 1999 deri në 2015-ën, sa është numri i fluturimeve që ju keni kryer?
Kjo është një kohë shumë e gjatë, por nëse e them me afërsi, që nga ’99-ta e deri në 2015-ën kam kryer rreth 5 mijë fluturime gjatë gjithë karrierës sime në Policinë e Shtetit. Detyrat që na caktoheshin edhe në Ushtri kanë qenë nga më ndryshmet. Më shumë kanë qenë fluturime stërvitore, siç kanë qenë në atë kohë edhe stërvitjet ushtarake. Disa të tjera kanë qenë në ndihmë të popullsisë. Kurse karakteri i detyrave pranë Repartit të Forcave Speciale të RENEA-s, në Ministrinë e Brendshme të Policisë së Shtetit kanë qenë detyra nga më të vështirat. Sidomos detyrat në përbërje të operacioneve luftarake, ato operacione që ka kryer RENEA si një elitë e Policisë së Shtetit. Në përgjithësi, operacionet që ne kemi bërë kanë qenë në kohë dhe momente të ndryshme, ditën dhe natën. Në të gjitha rastet ruaj kujtimet më të mira për të gjithë ata çuna, që unë i quaj heronjtë e Policisë së Shtetit për çdo punë të mirë që ata kanë bërë. Me pak fjalë, mund të them që nga fillimi i karrierës sime kam pasur shumë fluturime nga më të ndryshmet. Kam fluturuar me krerët më të lartë të shtetit, me ministrat e vendit, me disa aktorë të Hollyëood-it, me drejtues të Policisë së Shtetit, me kryeministrat, përveç ish-kryeministrit Sali Berisha, pasi në atë kohë ai sapo kishte marrë helikopterin e tij.
Si kanë qenë fillesat tuaja të para, keni hasur vështirësi në fluturimin e parë që keni kryer?
Fillimisht kam nisur si kursant dhe më pas kam dalë pilot. Unë i kam kaluar të gjitha vështirësitë dhe në atë moment kam qenë i bindur se isha gati për të fluturuar. Më pas vazhdon karriera gradualisht. Kështu i kam marrë edhe unë të gjitha shkallët e karrierës sime, gradualisht. Të gjitha tipat e helikopterëve i kam kaluar gradualisht, pas helikopterëve të vegjël mësimorë. Madje, unë kam edhe një shprehje që e përdor gjithmonë: “Një herë ta keni provuar fluturimin, ju sytë do t’i mbani gjithmonë nga qielli”.
Cilat kanë qenë operacionet më të vështira që keni kryer gjatë gjithë këtyre viteve dhe a mund të veçoni ndonjërin prej tyre?
Çdo operacion është i vështirë, sidomos ato operacione që janë kryer nga RENEA kundër elementëve të rrezikshëm kriminalë. Gjatë gjithë karrierës sime kamë pasur shumë operacione të kësaj natyre, pothuajse në të gjitha zonat e vendit. Operacionet kanë qenë për neutralizimin e elementëve të rrezikshëm të botës së krimit, operacione për personat që kanë qenë në kërkim, operacione për ata persona të cilët cilësoheshin si më kriminelë, apo edhe operacione për asgjësimin e lëndëve narkotike.
Po në momentet që operacionet për kërkimin e personave me rrezikshmëri të lartë kanë dalë me sukses, jeni ndjerë ndonjëherë i kërcënuar?
Jo, asnjëherë! Ne kemi kryer ato lloj operacionesh që nuk e ka marrë vesh asnjë njeri se kush i ka kryer. Kemi ruajtur sekretin, dhe kjo falë unitetit që kemi pasur me efektivët e RENEA-s. Madje ka pasur raste, që shumë elementë të rrezikshëm janë dorëzuar vetë në momentin që kanë marrë vesh apo kanë parë helikopterët e RENEA-s.
Cili është momenti më i bukur që ju mbani mend gjatë operacioneve që keni kryer në karrierën tuaj të Policisë së Shtetit?
Më të bukurat kanë qenë ato kur kemi realizuar detyrën me sukses, me devotshmëri dhe pa asnjë lloj incidenti, qoftë në ajër, qoftë në tokë. Po ashtu, mund të them se, në momentin kur detyra që neve na ishte caktuar është përfunduar me sukses, atëherë ka qenë edhe kënaqësia jonë më e madhe. Kënaqësia nuk ka qenë vetëm e jona si pilotë, por edhe e inxhinierëve teknikë apo edhe e efektivëve të RENEA-s.
Si i kujtoni tashmë momentet që keni qenë pjesë e Policisë së Shtetit?
Çdo moment e kujtoj me nostalgji, me respekt, me mirënjohje, me dashuri. Edhe tani që kam vetëm pak ditë që jam larguar nga kjo detyrë, përsëri me mendje dhe me zemër jam dhe do të jem pjesë e Policisë së Shtetit. E ndjej veten shumë krenar që kam shërbyer në këto struktura të Policisë së Shtetit, e sidomos pranë Repartit të Forcave RENEA, që mbi të gjitha janë djem shumë të përgatitur, janë trima dhe njerëz shumë të respektueshëm. Madje, edhe kur zbrisnim në tokë pasi ishim në qiell, në terrene të vështira, në ato terrene që kanë qenë me reliev të thyer malor, nëpër zona të rrezikshme, ata gjithmonë e kanë pasur mendjen edhe te ne, përveç detyrës që iu ishte caktuar. Pra, përveç detyrës së tyre, kishin edhe një përkushtim të madh ndaj nesh. Edhe ne nuk jemi kursyer për asnjë operacion që na caktohej derisa ta përfundonim me sukses edhe në kushte të vështira të motit, kur koha ka qenë me erë, me shi, në terrene malore, në terrene me rrezikshmëri. Në gjithë këto vite, nuk mbaj mend asnjëherë që unë bashkë me shokët e mi pilotë të jemi kthyer pa realizuar detyrat që na janë ngarkuar bashkë me efektivë të RENEA-s. Jam krenar që eksperiencën time 45-vjeçare kam arritur ta mbyll me sukses, qoftë si pilot, qoftë si ushtarak në Repartin e Forcave të Armatosura, qoftë si pjesëtar i Policisë së Shtetit. Madje mua dhe disa shokëve të mi na është kushtuar edhe një libër, nga piloti dhe poeti Riza Lahi.
Gazeta Shqiptare