Pikë e nxehtë, NATO dërgon edhe dy luftanije në Detin e Zi

Edhe dy anije të tipit destrojer (shkatërruese) të NATO-s do të duhej të lundrojnë në ujërat e Detit të Zi gjatë ditës së sotme, duke shtuar numrin e anijeve të tilla në katër sosh.

Bota

04/03/2015 21:04

Oficeri i marinës ruse të luftës tha se në Detin e Zi momentalisht janë të pranishëm destrojerët amerikanë “Ticonderoga Class” dhe “USS Vickburg” me projektilë të rrezes së gjatë, si dhe fregata turke “Turgut Reis”.

“Në disa orë të ardhshme presim që në ujërat e Detit të Zi të lundrojnë edhe fregata italiane ‘Alizeo’ dhe ajo kanadeze ‘Fredericton’”, deklaroi një burim i marinës ruse, transmeton agjencia ruse TAS.

Kësisoj raportet ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit do të përkeqësohen më tutje, sidomos nëse merret parasysh deklarata e Aleksandar Gushko, i cili ka thënë se “Moska do të ndërmarrë kundërmasa të domosdoshme për t’iu përgjigjur pranisë së forcave të NATO-s në Detin e Zi.

Aleanca veri-atlantike tash e dy vjet vazhdimisht dërgon anije lufte në Detin e Zi. Në korrik të vitit 2014, në këto ujëra gjendeshin madje 9 luftanije të vendeve të NATO-s.

NATO ka gjetur mënyrën për të shmangur marrëveshjen paqësore të nënshkruar që në vitin e largët 1936. Kjo konventë thotë se asnjë luftanije i vendeve që nuk i kanë brigjet e tyre në Detin e Zi, në ujërat e këtij deti nuk bën të qëndrojë më shumë se 21 ditë.

Por, NATO ka gjetur një birë në këtë konventë dhe në ujërat e Detit të Zi dërgon luftanije të ndryshme, të cilat ndërrohen çdo tre javë.