Piatek lë në hije Ronaldon, askush si polaku në Itali
Krzysztof Piatek, pas golit të shënuar kundër Frosinone-s, që ka ardhur pas një agjërimi prej 500 minutash, ka arritur në kuotën e 30 realizimeve në këtë sezon.
Sport
Më mirë se polaku, në Europë, kanë bërë Messi (50 gola), Mbappe (38), Lewandowski (38), Aguero 32 dhe Aubameyang 31, me Benzema dhe Ben Yedder që kanë shënuar po aq sa ylli i kuqezinjve.
Megjithatë, në Itali, Piatek është i pari që ka arritur këtë shifër, duke lënë mbrapa edhe yllin e Juventus-it, Cristiano Ronaldo: 13 gola me Genoa-n dhe 9 me Milan-in në Serinë A dhe 8 në Kupën e Italisë, të ndarë mes kuqebluve dhe kquezinjve.
Këto shifra tregojnë rendimentin e mirë të Piatek para portës, që e bën atë edhe një nga sulmuesit më produktivë të kontinentit. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se polaku nuk ka akoma shumë punë për të bërë.
Gattuso, në fakt, ka folur shpesh për vështirësitë që ka pasur numri 19 në pjesëmarrjen totale dhe të vazhdueshme në lojën e ekipit. Edhe kundër Frosinone-s, Piatek është dukur jashtë lojës së skuadrës, pavarësisht se gjakftohtësia e tij e jashtëzakonshme e ka ndihmuar Milan-in të fitojë ndeshjen dhe të shpresojë akoma te kualifikimi në Champions.
Në fund të fundit, gjëja më e rëndësishme është të shënohet gol dhe Piatek, që di ta bëjë shumë mirë një gjë të tillë, është që tani njëri nga më të mirët në botë./Telesport/