Pezullimi i vendimit për kthimin e diplomatëve nuk i përfshinë as konsujt, as ambasadorët

Vendimet e marra nga ish-ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, rreth kthimit të ambasadorëve dhe shkarkimit të 14 konsujve, janë pezulluar sot nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Lajme

01/07/2020 17:29

Në një komunikatë për media Ministria e Jashtme është sqaruar rreth vendimit për pezullimin e përkohshëm të disa vendimeve që kanë të bëjnë me shërbimin e jashtëm.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës – Meliza Haradinaj-Stublla njofton se nuk bëhet fjalë për anulim, por për pezullim të përkohshëm të vendimeve për kthim të disa diplomatëve, të nënshkruara nga ish-Qeveria e shkarkuar Kurti.

“Vendimi për pezullim nuk i përfshinë konsujt dhe as ambasadorët. MPJD njofton opinionin se këto vendime do të shqyrtohen veç e veç brenda afatit shtatë ditorë, dhe se vendimi përfundimtar do të merret pa asnjë paragjykim lidhur me vendimet e mëparshme apo pezullimin aktual të tyre”, thuhet në njoftim.

Ish-ministri i Jashtëm Glauk Konjufca ka deklaruar se vendimi i sotshëm i Qeverisë Hoti është argumenti më i mirë i mashtrimit të paskrupullt të elektoratit nga LDK-ja.

“Vendimi i sotshëm i Qeverisë Hoti për anulimin e vendimit për kthimin e konsujve të paligjshëm, tregon për orientimin thellësisht të gabueshëm politik të LDK-së. Ky është koncesion kapital me shkelësit e ligjit dhe krimin e organizuar”, ka thënë ai. /Lajmi.net/