Petroviq parasheh zgjedhje të reja
Kryetari i Partisë së Pavarur Liberale (SLS), Slobodan Petroviq ka thënë se do ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi sipas tij, serbët në Kuvendin e Kosovës, nuk duan të jenë pjesë e problemit, por pjesë e zgjidhjes. Ai thotë se nëse PDK nuk arrin t’i sigurojë votat për kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Lajme
Petroviq, partia e të cilit në zgjedhjet e 8 qershorit, ishte pjesë e Listës Serbe, i ka thënë agjencisë së lajmeve Tanjug, që beson, se të gjitha partitë do të respektojnë vendimin e kushtetueses, i cili e shpalli si kundërkushtetuese procedurën e zgjedhjes për kryetar të Kuvendit, Isa Mustafën e LDK-së, i cili në atë seancë mori edhe votat e deputetëve serbë.
Petroviq ka thënë se, ashtu siç ai e kupton, tash pas vendimit të kushtetueses, i takon PDK-së të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, dhe nëse ai nuk arrin t’i marrë votat e mjaftueshme, atëherë mund të shkojmë në zgjedhje të reja parlamentare. (lajmi.net)