Peticion dhe protesta për shkarkimin e Fullanit

Shoqëria civile vijon aksionin për mbledhjen e firmave të qytetarëve me qëllim që t’i kërkojë Kuvendit të Shqipërisë një seancë të jashtëzakonshme për shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani. 

Lajme

09/08/2014 12:11

Pas Tiranës, aksioni është zhvendosur në qytetin e Elbasanit. Qytetarët janë ftuar nëpër rrjetet sociale të firmosin peticionin në bulevardin ‘Aqif Pasha’ me qëllim shkarkimin e Fullanit, pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Shtetit.

Organizatori i protestës, Zirkon Disha u shpreh dje se pas Tiranës, do t’i drejtohen edhe rretheve dhe me sa duket nuk është humbur kohë. “U japim mundësi qytetarëve për të nënshkruar një peticion, që më pas do i drejtohet Kuvendit, të cilit i kerkohet shkarkimi i Fullanit. Ai nuk mund të mbajë me postin, ka refuzuar dorëheqjen”- tha Disha.

Ndërkohë që edhe në Shkodër kanë nisur sot protestat për shkarkimin e Ardian Fullanit. Forumi Shkodran po proteston para Bashkisë së këtij qyteti, ndërsa i bën apel edhe qytetarëve ti bashkohen protestave.

Përfaqësuesja e këtij forumi, Senida Mesi shprehet se guvernatori jo vetëm duhet të shkarkohet, por edhe të hetohet.

Reagimi qytetar për largimin e Fullanit nisi pas skandalit në BSH, por edhe pas publikimit në media të fakteve të shtimit të pasurisë së Guvernatorit dhe jetës së luksit që bënin fëmijët e tij. (BalkanWeb)