Pesëshja për marrëveshje
Pesë shtetet që përbëjnë Quint’in vlerësojnë përkushtimin e Qeverisë dhe mbështesin Kryeministrin Hashim Thaçi për arritjen e marrëveshjeve me Serbinë. Thonë se ato përbëjnë hap përpara në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Lajme
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe Koordinatori për bisedime Blerim Shala kanë takuar sot Ambasadorët e vendeve të Quint’it, të cilët i kanë njoftuar për marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë për telekomin dhe energjinë.
Sipas një njoftimi të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, pjesëmarrësit në takim kanë konkluduar se arritja e këtyre marrëveshjeve është edhe një hap përpara drejt implementimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Ambasadorët e vendeve të Quint’it vlerësuan lart përkushtimin e Kryeministrit Thaçi dhe të Qeverisë së Kosovës në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht për arritjen e dy marrëveshjeve të fundit.
Quint’i përbëhet nga pesë përfaqësues diplomatikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.