Pesë vite më herët Haradinaj këmbënguli të mos e dëgjojë SHBA-në, sikurse sot Kurti: Jemi vend sovran dhe kemi versionin tonë
Temë kyçe në vendin tonë gjatë janarit të vitit 2019 ishte vendosja e taksës 100% ndaj mallrave serbe. Ky vendim ishte marrë asokohe nga kryeministri Ramush Haradinaj, duke përsëritur se pa njohjen e Kosovës nga Serbia, tarifa nuk do të shfuqizohet. “Nëse në Beograd thonë që kurrë nuk ju njohim, edhe ne nuk mund të…

Lajme
Temë kyçe në vendin tonë gjatë janarit të vitit 2019 ishte vendosja e taksës 100% ndaj mallrave serbe.
Ky vendim ishte marrë asokohe nga kryeministri Ramush Haradinaj, duke përsëritur se pa njohjen e Kosovës nga Serbia, tarifa nuk do të shfuqizohet.
“Nëse në Beograd thonë që kurrë nuk ju njohim, edhe ne nuk mund të përdorim fjalë tjetër. Nëse ai thotë se kurrë nuk ju njoh edhe ne mund të themi se kurrë nuk e heqim taksën”, tha Haradinaj gjatë një takimi me degën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Ferizaj.
E kjo deklaratë e Hardinajt kishte ardhur pas një komunikate të lëshuar asokohe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku përveç të tjerash ritheksohej pikëpamja se një pezullim i menjëhershëm i tarifës në importet nga Serbia është një masë e nevojshëm për të rimëkëmbur momentumin në procesin e dialogut.
“Veprimet që minojnë dialogun, pengesat nga anash, dhe refuzimi për të pezulluar tarifat – gjitha këto shkojnë kundër interesave të SHBA-ve”, thuhet në komunikatë.
Qeveria e Kosovës më 6 nëntor 2018 kishte marrë vendim për vendosje të tarifës doganore prej 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina. Kjo tarifë doganore u ngrit në 100 për qind më 21 nëntor.
Përveç kësaj, më 28 dhjetor, Qeveria e Kosovës pati marrë vendim që të vendosë tarifë doganore 100 për qind edhe për produktet e importuara nga vendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.
E ky vendim ishte kundërshtuar nga vendet mike të Kosovës, por ishte vlerësuar nga qytetarët.
Pavarësisht kërkesave asokohe, Haradinaj kishte këmbëngulur në mos heqjen e taksës.
Madje ai kishte thënë se Kosova është e interesuar ta pezullojë taksën vetëm nëse ka gatishmëri nga Serbia për njohje të shtetit të Kosovës.
“Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania e Italia janë aleatë të Kosovës por edhe të interesuar për marrëdhënie te mira me Serbinë e zgjidhjen e problemit, duhet ta kuptojnë që nuk ka hapësirë më as të i bëhet presion Kosovës, ata me presion e detyruan qeverinë të jap dorëheqje”, tha Haradinaj.
Haradinaj thotë se nuk do të donte të përfillte kërkesat e Serbisë, e cila po kushtëzon rinisjen e dialogut me heqjen e tarifës.
“Nëse vetëm për të ardhur në tavolinë e lyp tregun, e për njohje çka ka me lyp?. Nuk jam që t’i përfillmi këto kërkesa të tilla, ne jemi vend sovran dhe e kemi versionin tonë si të merremi vesh me Serbinë”, ka shtuar Haradinaj.
Kreu i AAK-së pati akuzuar liderët e partive të tjera se publikisht po shprehen kundër heqjes së tarifës ndërsa në dyer të mbyllura po premtojnë heqjen e saj.
“Ata që në publik thonë (se nuk do të hiqet tarifa ndaj Serbisë), në dyert të mbyllura përfshi Albini, përfshi LDK, për PDK tashmë dihet, i thonë që na e heqim taksën edhe kthehen në dialog”, ka thënë Haradinaj.
E qëndrim të ngjashëm ka sot kryeministri Albin Kurti për çështjen e hapjes së urës së Ibrit.
Kurti ka deklaruar se hapja e kësaj ure nuk i bën keq askujt, përkundrazi vetëm i afron qytetarët.
Madje ai ka thënë se nuk do të tërhiqet nga vendimi për hapjen e urës për qarkullim të automjeteve. Kurti madje bashkë me ministrat e tij kanë vazhduar punën për përgatitje të urës, ku dje është publikuar raport preliminar për qëndrueshmërinë e kësaj ure.
Sipas të gjitha gjasave Ura e Ibrit do të hapet, por vetëm nuk dihet kur.
Kjo urë e cila është e hapur për qarkullim të këmbësorëve, por jo për automjeteve bëri që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ato të QUINT-t t’i reagojnë vazhdimisht Qeverisë së Kosovës.
Madje Bashkimi Evropian në një formë apo tjetër ka paralajmëruar edhe shtim i masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Pavarësisht gjithë kësaj dhe takimeve me ambasadorët e huaj ën Kosovë, Kurti ka vendosur që të mos ndryshojë vendim për çështjen e urës.
E është pikërisht ish-kryeministri Haradinaj që ka “këshilluar” Kurtin që të mos i dalë kundër Amerikës.
Ambasadori amerikan edhe një herë ka bërë të ditur se nuk përkrahin hapjen e urës në këtë orë derisa theksoi se hapja e saj në këto momente rrezikon ushtarët amerikanë.
Haradinaj tha se kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në Kosovë, as nuk i takon Kosovës dhe as nuk do t’i takojë Kosovës.
“Është vetëm kundër Kosovës. Dhe si armik i Kosovës do të trajtohet”, tha ai.
Po ashtu ai tha se ose do të jetë në burg, ose të ikë e fshehet nga Kosova.
“Prandaj, ose do të jetë në burg ose do të ikë e fshehet nga Kosova! Pavarësisht çfarë shtetësie ka dhe çfarë detyre ka, ai-ajo-ata do të ndëshkohen!. Të gjithë ju që keni përgjegjësi shtetërore, nëse e gjeni veten këtu, pas lutjes (edhe publike) amerikane për Qeverinë e Kosovës, dijeni se s’do ta keni mbrojtje petkun që ju mbështjellë përkohësisht! ”shtoi ai.
Duhet theksuar se BE-ja dhe SHBA-të vazhdimisht kanë bërë thirrje që ura e Ibrit të hapët në kuadër të dialogut dhe në asnjë formë tjetër. Kësisoj pati deklaratë edhe nga KFOR-i që përkujdeset për sigurinë tek Ura e Ibrit.
KFOR ka bërë të ditur se ura duhet të funksionojë në bazë të dialogut dhe zhvillimeve atje.
Kurse nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se kjo urë s’ka të bëjë me dialogun dhe se çështja e saj është zgjidhur më 2016./Lajmi.net/