Përzgjedhësi i Kosovës ligjëron para gjyqtarëve të Kosovës

Përzgjedhësi i Kosovës, ChristosMarmarinos të martën ka zhvilluar një ligjëratë për gjyqtarët e Kosovës në platformën Zoom. Takimi “online” është organizuar nga FIBA Instruktori Nacional i Gjyqtarëve, FatonKurshumlija.

Sport

20/05/2020 11:24

Marmarinos ka thënë se ky takim është shumë i rëndësishëm, derisa ka diskutuar për pikat e rëndësishme në basketbollin modern rreth komunikimit gjyqtar-trajner.

Përzgjedhësi i Kosovës ka folur para gjyqtarëve të Kosovës edhe për përvojën e tij në basketbollin modern.

Një çështje që është diskutuar, është edhe ajo e menaxhimit të situatave të stresit, të trajnerëve, gjyqtarëve, lojtarëve dhe publikut. Pra, si të menaxhohet situata në këto raste.

Gjithashtu kishte diskutime rreth gjuhës së trupit të gjyqtarëve të basketbollit.

Marmarinos ka ftuar gjithë gjyqtarët e basketbollit të punojnë kohë të pandemisë dhe të mos ndalen, të punojnë nga manualet e FIBA-s për përgatitjen fizike. Ai shtoi se basketbolli i Kosovës mund të avancohet, vetëm me punë dhe angazhim maksimal, si nga gjyqtarët, trajnerët dhe lojtarët.

FatonKurshumilja e ka falënderuar përzgjedhësin e Kosovës për diskutimet e ndryshme, duke e cilësuar këtë takim si shumë të rëndësishëm dhe të frytshëm.

Gjyqtarët në fund kanë parashtruar pyetjet e tyre rreth çështjeve që janë diskutuar. Në këtë takim “online” ishin 34 gjyqtarë të Kosovës.

Marmarinos ka drejtuar në ndeshje Kosovën dhe ka shënuar dy fitore: Ndaj Islandës dhe Luksemburgut. /Lajmi.net/