Përvjetori i kapjes së Sadam Huseinit

Me 13 dhjetor të vitit 2003, personi më i kërkuar në Irak u arrestua. Saddam Husseini u gjet nga forcat amerikane, i fshehur në një vrimë jo shumë larg nga vendi ku kishte lindur ky ish-diktator.

Bota

13/12/2019 07:54

Bota mësoi për kapjen e personit më të kërkuar në Irak, kur ish administratori amerikan në Irak Paul Bremer tha në një konferencë shtypi në Bagdad “zonja dhe zotërinj, e kapëm.”

Gazetarët arabë dhe irakianë që merrnin pjesë në konferencë brohoritën për disa minuta me radhë. Irakianët filluan të festonin në rrugët e kryeqytetit. Studentja e universitetit të Bagdadit Alia Hadi kujton dhe thotë se ishte shumë e lumtur ta shihte Sadam Huseinin në televizion, i hutuar dhe i fshehur në një vrimë. Ajo thotë se kjo ishte e drejta e fundit e të gjithë irakianëve, ta shihnin zotin e tyre ta ndëshkonte atë ashtu siç kishte ndëshkuar ai irakianët.

Rreth orës 8:30 në mbrëmje, ish-diktatori 66-vjeçar u gjet i fshehur në një vrimë, afër një shtëpie fermë 15 kilometra në jug të qytetit të tij të lindjes Tikrit. Arrestimi i tij u bë si rezultat i informacioneve të siguruara nga ish-truprojat dhe të afërmit e njerëzve të afërt me ish-presidentin irakian. Atij iu gjetën 750 mijë dollarë në para të thata, dy automatikë AK-47 dhe një pistoletë.

Megjithatë, ai u dorëzua pa luftë. Një nga komandantët amerikanë që mori pjesë gjatë arrestimit tha se Sadam Huseini “u kap si miu.” Me flokët e gjatë dhe mjekrën e gjatë dhe të thinjur, Sadam Huseini dukej i hutuar dhe shumë i lodhur. Brenda pak orësh nga kapja e tij, u transmetua një videokasetë ku tregohej një doktor që ekzaminonte ish-diktatorin dhe i kontrollonte edhe dhëmbët. Ky nuk ishte imazhi që shumica e irakianëve donin të shihnin.

Karim Yousef është menaxheri i përgjithshëm i Radio Dijlas, një stacion që transmeton pikëpamjet dhe mendimet e irakianëve. Zoti Yousef thotë se shumë irakianëve u erdhi keq të shihnin që Sadami u kap në atë mënyrë. Ai thotë se Sadami ka pasur pushtetin në Irak për 35 vjet me radhë dhe shumë njerëz e konsideronin të ishte trim dhe i fuqishëm. Ai thotë se ishte e trishtueshme ta shihje Sadamin të dukej kaq i hutuar, me flokët dhe mjekrën e tij të gjatë.

Pamje të tilla të ish-diktatorit i zemëruan ca irakianë, të cilët e panë videon si një përpjekje për ta turpëruar Sadam Huseinin. Megjithatë, profesori i shkencave politike në Universitetin e Bagdadit, Abdel Jabar Abdullah, thotë se këto pamje të Sadamit janë transmetuar në përpjekje për të dërguar një mesazh.

“Ata me qëllim e kanë treguar këtë pamje, për t’i dërguar një mesazh, jo vetëm popullit irakian, por të gjitha vendeve arabe, për t’i thënë se kjo do të jetë e ardhmja e sundimtarit tuaj, nëse nuk bashkëpunoni me strategjinë amerikane në këtë rajon”, tha Abdullah.

Zyrtarë të Pentagonit thanë se ishte e nevojshme t’i tregonin provat popullit irakian se Sadam Huseini ishte kapur, sepse shumë irakianë kishin frikë se një ditë ish-diktatori mund të kthehej në pushtet.