Përurohet sheshi “Zahir Pajaziti”

Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, përuroi sheshin ‘Zahir Pajaziti’, i cili ka kushtuar rreth 4.6 milionë euro.

Lajme

18/10/2013 16:50

Kryetari i Prishtinës Isa Mustafa përuroi sot sheshin Zahir Pajaziti. Ai tha se ndërtimi i këtij sheshi do mundësojë jo vetëm qëndrimin dhe lëvizjen e qytetarëve, por edhe zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme afariste.

Përurimi i sheshit u bë në heshtje pasi që një përurim i caktuar javë më parë kishte dështuar për shkak të motit të lig.

“Komuna me ndërtimin e sheshit “Zahir Pajaziti” ka krijuar kushte të favorshme, jo vetëm për qëndrim dhe lëvizjen e qytetarëve, por ka krijuar kushte shumë të mira edhe për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme, kulturore, sportive dhe ekonomike”, ka thënë Mustafa gjatë ceremonisë së përurimit.

Kostoja e ndërtimit të këtij sheshi është 4.688.000,00€, rreth 80 mijë euro më pak se shuma e kontraktuar.

Në kuadër të këtij sheshi që është në sipërfaqe prej 14.341 metër katrorë do të jenë katër fontana moderne, shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, kiosqe për shitje të librave, kiosqe për informata, ulëse për pushim, ora e çezme ndërsa i gjithë sheshi është i pajisur me ndriçim modern.

Kryetari Mustafa u arsyetua se vonesa për ndërtimin e këtij sheshi kanë qenë për shkaqe të ndryshme duke përfshirë edhe manifestimet e ndryshme dhe protestat. Një problem tjetër kanë paraqitur edhe rrethojat tek ndërtesa e EULEX’it, por vetëm pas disa takimeve është arritur kompromisi që të lirohet ajo hapësirë.

Po ashtu Mustafa u shpreh se në dinamikën e punës ka ndërhyrë edhe kushtet klimatike, pasi që gjatë dimrit ka pasur ngecje në punime.

Para disa javëve, i njëjti shesh ishte përuruar nga Kryetari Legjendar i Partisë së Fortë, Visar Arifaj.