Përurohet memoriali për dy pilotët amerikanë që humbën jetën për Kosovën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, kanë përuruar të hënën Memorialin përkujtimor për pilotët amerikanë, David Gibbs dhe Kevin Reichert, që humbën jetën në detyrë, për lirinë e popullit të Kosovës, në vitin 1999, në kuadër të intervenimit të NATO-s.

Lajme

26/05/2014 15:50

Në fjalimin e tij në këtë ceremoni, kryeministri Thaçi ka thënë se nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë sakrificën e ushtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për lirinë e Kosovës.

“Nuk ka fjalë që mund ta përshkruaj sakrificën e ushtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për lirinë e Kosovës, por vetëm një gjë mund të them sot në emër të Qeverisë së Kosovës, në emër të popullit të Kosovës: e nderuara ambasadore e SHBA-ve, populli i Kosovës, institucionet e Kosovës, gjithmonë do të përulen me respektin më të lartë për angazhimin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeverisë Amerikane dhe popullit amerikan”.

Thaçi ka thënë se Kosova do të punojë gjithnjë miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miqësia midis dy popujve, të afirmohet përjetësisht.

 “Ne jemi shteti më i ri në Evropë, por shteti më pro-amerikan në Evropë, dhe ndihemi krenar!”, ka thënë kryeministri në ceremoninë ku ka marrë pjesë edhe komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, ministra të kabinetit qeveritar dhe figura tjera zyrtare e publike.