Përtacia dhe mosbindja, shkas i lëndimeve të shpeshta të Dembele
Ousmane Dembele pësoi një tjetër lëndim në sfidën e së mërkurës mes Barcelonës dhe Borussia Dortmund, dhe do të mbetet jashtë fushave për dhjetë javë.
Sport
Futbollisti francez nuk ka asnjë mënyrë për të shprehur talentin e tij. Taman është afër ritmit të tij, ai lëndohet dhe i duhet gjithçka të nis nga fillimi. Në fakt, kështu kanë qenë dy vitet e tij të fundit. Ai është lënduar nëntë herë në këtë periudhë dhe tri herë këtë sezon. Lëndimet e shpeshta të muskujve tregojnë se stërvitja fizike është e gabuar.
Por dështimi i Dembele nuk është vetëm rezultat i fatit të keq, por një sërë faktorësh ndikojnë në zhvillimin e tij të ngadaltë të karrierës.
Francezi mendon se ai është shumë i mirë dhe shpesh sillet në mënyrë joprofesionale duke anashkaluar stërvitjen, e duke mbërritur me vonesë. Ai nuk shkoi te mjeku pas një dëmtimi të vogël. Ai e kaloi kohën duke luajtur video lojëra në vend që të flinte.
Edhe trajneri i Kombëtares së Francës, Didier Deschamps e ka quajtur dembel, ndërsa njëri prej kapitenëve të Barcelonës e këshilloi atë se për të qenë një lojtar i mirë futbolli, duhet përkushtim 24 orë. Situata ka arritur në atë pikë sa që Barcelona ka punësuar një dietolog, i cili duhej të kontrollonte vazhdimisht nëse Dembele po hante dhe çfarë po hante.
Barcelona për transferimin e tij ka shpenzuar 105 milionë euro, dhe nuk dëshiron të humbas një lojtar që posedon gjithë atë talent./Lajmi.net/