Personat me nevoja të veçanta s’punësohen në sektorin privat
Personat me nevoja të veçanta duhet të punojnë edhe në sektorin privat pasi ai i ka mundwsi më të mëdha për punësim.
Lajme
Pikërisht për këtë çështje Rrjeti për Përgjegjësi të Korporatave në Kosovë (Kosovo CSR Network), ditë më parë ka lansuar një iniciativë me qëllim që bizneset vendore të krijojnë vende pune edhe për personat me nevoja të veçanta.
Lendita Daija, drejtoreshë e këtij rrjeti, tha për Radion Evropa e Lirë se në ditën e parë të nisjes së projektit disa kompani kanë shprehur interesim për punësim të personave të kësaj kategorie të shoqërisë.
“Me vet faktin se në ditën e parë të lansimit janë punësuar 6 persona, tregon një seriozitet të mjaftueshëm. Dhe punësimi i personave me nevoja të veçanta nuk është punësim njëditor apo javor, por është punësim i rregullt si për të gjithë personat në Kosovë. Kontrata për një pozitë pune tregon seriozitetin dhe gatishmërinë e tyre për të ndihmuar aty ku ka hapësirë”, theksoi Daija.
Kjo iniciativë dhe punësimi i personave me nevoja të veçanta në sektorin privat do të ndikojë në përmirësimin e kushteve të jetës së këtyre personave, pohojnë përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie.
Sebahate Beqiri, anëtare e Bordit të Forumit të Aftësisë së Kufizuar, tha se një numër i vogël i këtyre personave kanë arritur të punësohen si në sektorin privat ashtu edhe atë publik.
“Nuk kemi ndonjë statistikë, por numri tyre është shumë i vogël. Por, më lansimin e kësaj iniciative vetëm shihet se është ngritur vetëdija edhe tek institucionet publike, por edhe ato private”, tha Beqiri për REL.
Në Kosovë ekziston Ligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me nevoja të veçanta, në të cilin thuhet se “çdo punëdhënës në institucionet publike dhe private është i obliguar të punësojë një person me nevoja të veçanta në çdo 50 punëtorë”.
Por, sipas Beqirit, ky ligj nuk zbatohet as nga institucionet publike dhe as nga ato private.
Në anën tjetër, përfaqësues të komunitetit të biznesit theksojnë se do të mundohen të rrisin vetëdijen e kompanive anëtare për ekzistencën e një ligji trë tillë dhe njëherësh të promovojnë idenë dhe rëndësinë e punësimit të personave me nevoja të veçanta në sektorin privat.
Megjithatë, drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka konsideron se autoritetet kompetente duhet të krijojnë bazë ligjore që të stimulojnë dhe krijojnë lehtësira për sektorin privat, në rast të punësimit të këtyre personave.
“Të nisë plotësim – ndryshimi në ligjin që po i referohemi gjatë tërë kohës, që të fusim dispozita lehtësuese që bizneset që punësojnë persona me nevoja të veçanta, në mesin e këtyre lehtësirave do të ishin natyrisht edhe lehtësirat tatimore dhe lehtësira të tjera, që do të inkurajonin këto biznese për të punësuar persona me nevoja të veçanta”, theksoi Zeka.
Në ligjin ekzistues thuhet se varësisht nga shkalla dhe kategoria e aftësisë së kufizuar, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me akt të veçantë nënligjor do të rregullojë dhe përcaktojë vendet e punës dhe punët e përshtatshme për personat me nevoja të veçanta.