Personat me nevoja të veçanta dinë, munden dhe duan të punojnë (Foto&Video)

Përqindja e papunësisë në Kosovë mbetet ende e lartë. Për shumë njerëz puna mbetët dëshira më e madhe për të arritur. Por qasja në tregun e punës është edhe më e vështirë për personat me nevoja të veçanta.

Lajme

09/03/2016 14:07

Sot në Kosovë jetojnë rreth 200,000 persona të cilët kanë kufizime të ndryshme dhe për shkak të barrierave të ndryshme që hasin në përditshmëri ata janë të pamundësuar të marrin pjesë në jetën sociale, politike, ekonomike dhe kulturore në vend, situatë kjo që e rëndojnë edhe më shumë situatën e tyre.

Këto vështirësi ndikojnë drejtpërdrejtë te një numër i personave me nevoja të veçanta të jenë pjesë apo përfitues të skemave sociale dhe të kenë mundësi të vogla për qasje në tregun e punës.

Mejreme Llumnica nga fshati Barilevë e Prishtinës, person me nevoja të veçanta, ka ëndërr që të punojë në institucione shëndetësore, por kjo ëndërr e saj asnjëherë nuk u bë realitet për faktin që është person me nevoja të veçanta.

Ajo edhe pse në moshë të mesme nuk heqë dorë nga dëshira e saj për mjekësinë. Këmbëngulëse në dëshirën e saj Mejremja tani është para diplomimit në fakultetin e mjekësisë  dhe k a ndjekur dhjetëra trajnime vetëm e vetëm që një ditë të vesh mantelin e bardh dhe të punojë.

“Unë kam konkurruar shumë herë në institucione publike por gjithmonë jam shikuar nga ana e paragjykimeve për faktin që jam person me aftësi të kufizuar, pa i krahasuar aftësinë time. Unë  kamë përfunduar shkollimin për infermiere por gjithherë kamë hasur në pengesë për tu punësua, gjoja se unë nuk mund të punoj në këtë profesion se do qëndrim në këmbë. Ata posa më kanë par nuk janë lodh as me shikuar dokumentacionin tim”, tregon Mejremja për lajmi.net

12822810_10153910977320120_719473832_o

HANDIKOS, People in Need dhe Shoqata e të Verbërve të Kosovës, që nga Marsi i vitit 2015 janë duke zbatuar projektin “Fokusimi në aftësitë – rritja e punësimit të grupeve të margjinalizuar në Kosovë” në komunën e Prishtinës, Ferizajt dhe Prizrenit, ku për qëllim kryesor ka lehtësimin në procesin e tranzicionit të personave me nevoja të veçanta nga asistenca sociale në tregun e punës i cili projekt mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

“HANDIKOS përmes këshilltarëve për punësim do të ju ndihmojnë personave me nevoja të veçanta gjetjen e  një vendi të punës si dhe bizneseve ju ndihmojmë gjetjen e punëtorëve të suksesshëm dhe personave të kualifikuar. Kemi një numër të madh të të interesuarve për punë vetëm në Prishtinë deri tash janë lajmëruar 58 persona”, tregon këshilltarja për punësim Jetmirë Bajrami nga HANDIKOS për lajmi.net.

Me realizimin e këtij projekti nga HANDIKOS Mejremes dhe Egzona Hoxhajt, studente e fakultetit të ekonomisë në Universitetin e Prishtinës të janë rritur shpresat për punë.

“Jo vetëm unë por të gjithë dëshirojnë me pas një punë. Tash me këtë projekt shpresojmë shumë që ka njerëz human dhe dëshirojnë që të punësojnë persona të kësaj kategorie”, tha Egzona Hoxha.

Punësimi i personave me nevoja të veçanta, përveç që është një vepër humane është edhe obligim ligjor.

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin Nr. 03/L-019për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara. Sipas këtij ligji, çdo punëdhënës është i obliguar të punësojë një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë (50) punëtorë;

Punëdhënësi i cili nuk i përmbush detyrimin e punësimit në çdo 50 të punësuar të punësoj një person me aftësi të kufizuara, obligohet që për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara, të paguaj në buxhetin e Kosovës kontribute mujore në lartësi prej një për qind (1%) të shumës së pagës minimale.

“Ne kemi kontaktuar me një numër të madh të bizneseve të cilët kanë interesim për punësimin e personave me aftësi të kufizuar. Deri tash ne kemi krijuar një databaz të personave me nevoja të veçanta të cilët janë të interesuar për punë. Aty ka profile të ndryshme nga profesione të ndryshme . Kështu që bizneset të cilat janë të interesuar që fillimisht ta zbatojnë ligjin dhe janë të interesuar që të punësojnë një person me aftësi të kufizuar atëherë le të drejtohen te HANDIKOS dhe ne do tu prezantojmë persona të ndryshme që do të ju përshtatën pozitave që kërkojnë” , tregon Jetmirë Bajrami  këshilltare për punësim në HANDIKOS./ lajmi.net

YouTube player