Përshtypjet nga KS

Kryeministri Hashim Thaçi thotë se Kosova mori vlerësim të lartë në Këshillin e Sigurimit të OKB'së për organizmin e zgjedhjeve lokale.

Lajme

22/11/2013 10:47

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se ka sjellë në Kosovë përshtypjet e mira të botës për mënyrën se si vendi i bëri zgjedhjet lokale të 3 nëntorit dhe rivotimin në tri qendra votimi në Mitrovicën e Veriut.

Një ditë pasi është kthyer nga New York ku ka marrë pjesë në seancën për Kosovën të Këshillit të Sigurimit të OKB’së, Thaçi ka folur për vlerësimin e lartë që ka marrë nga Ambasadorët në këtë organ.

Pjesëmarrja e Kosovës në mbledhjen e fundit për këtë vit të Këshillit të sigurimit, sipas Kryeministrit Thaçi ishte një mundësi e mirë për vendin që  të prezantoj të arriturat gjatë tre muajve të fundit.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë kreu u ekzekutivit tha se, Kosova me zgjedhjet e 3 nëntorit dha testin europian.

“Kemi marrë një vlerësim të lartë nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit për organizimin e zgjedhjeve për pjesëmarrjen e zgjedhjeve për pjesëmarrjen e qytetarëve një pjesëmarrje shumë e lartë rekord  sa i përket banorëve që jetojnë në Kosovë”.

“Pjesëmarrja e Kosovës në mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurimit ka qenë një mundësi e mirë për shtetin e Kosovës që të prezanton të arriturat e saj në tre mujorin e fundit në procesin e konsolidimit forcimit dhe fuqizimit të rolit të saj ndërkombëtar”.

“Në të njëjtën kohë të prezantimit të suksesit tonë për organizimin e zgjedhjeve fer të lira demokratike të standardeve ndërkombëtare më 3 nëntor si dhe organizimin e këtyre zgjedhjeve për herë të parë në tërë territorin e Republikës së Kosovës duke përfshirë edhe katër komunat në veri Leposaviç, Zveçan, Zubin Potok dhe në veri të Mitrovicës”

“Prandaj mund të them lirisht se Kosova më 3 nëntor por edhe me mundësinë që ishte për rivotim në tri qendra në veri të Mitrovicës e ka dhënë testin evropian për çka pritet të konfirmohet natyrisht më datën 1 dhjetor.

Ai ka përshëndetur të gjithë spektrin politik dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për angazhimin dhe përgjegjësitë që kanë treguar gjatë procesit të zgjidhjeve të cilin e quajti si proces shumë të rëndësishëm “për ndërtimin e së ardhmes evropiane të Republikës së Kosovës”.