Përsëri sulmohen nxënësit shqiptarë

Shkupi në dy ditët e fundit ka përjetuar disa incidente ndaj shqiptarëve. Dje janë lënduar 6 nxënës shqiptarë nga 10 persona të maskuar. Edhe sot është raportuar një sulm kundër një nxënësi shqiptar.

Lajme

16/11/2013 12:02

Vazhdojnë incidentet etnike në Shkup. Mediat shqiptare në Maqedoni raportojnë se sot rreth orës 12 është sulmuar një nxënës nga një grup të rinjsh në autobusin numër 7, pranë qendrës së Shkupit.

Ky incident pasohet nga një incident më i rënd që kishte ndodhur dje në fshatin Stajkovc të Shkupit ku ishin lënduar gjashtë fëmijë shqiptarë. Incidenti kishte ndodhur kur dy vetura pa targa kishin ndalur autobusin numër 65, dhe 10 persona të maskuar kishin rrahur nxënësit në autobus.

Policia maqedonase konfirmoi rastin duke thënë se gjatë të premtes kishin ndodhur disa incidente, por incidenti më serioz kishte ndodhur rreth orës 20:00, ku 6 fëmijë, raportohen të jenë lënduar.

“Gjatë ditës së djeshme kishte disa incidente. Më serioz ishte incidenti që ndodhi rreth orës 20:00 ku 6 persona janë ankuar nga lëndime. Bëhet fjalë për persona të mitur, pra fëmijë”, ka thënë Gordana Jankullovska, Ministre e Punëve të Brendshme.

Pas dhënies së këtij lajmi, ka mundur që të shkaktohet edhe një incident edhe më i madh. Banorët maqedonas në fshatin Stajkovc i kanë dalë në pritë autobusit me numër 65 A, që transportonte nxënës shqiptarë të fshatit fqinj Straçinicë. Maqedonasit, para syve të policës, kanë mbajtur peng nxënësit shqiptarë për rreth 2 orë.

Kryetari i Bashkësisë Lokale të Straçincës, Adnan Hajrullahi tha se ky gjest është përpjekje për hakmarrje ndaj banorëve të këtij fshati.

Partitë shqiptare kanë dënuar rënd sulmet me karakter etnik. Po ashtu edhe partitë maqedonase shprehen të shqetësuar për incidentet e fundit.