Përplasjen për Car Dushanin

Deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare, Bekim Fazliu, tha se Car Dushanin në Shkup e solli BDI’ja. E deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ermira Mehmeti, tha se replikat nuk ndihmojnë për të dalë nga situata të caktuara.

Lajme

20/12/2013 09:10

Partia Demokratike Shqiptare dhe Bashkimi Demokratik për Integrim janë pëplasur fort në Komitetin për marrëdhënie mes bashkësive etnike në Parlament për vendosjen e përmendores së Car Dushanit në qendër të Shkupit.

PDSH e Menduh Thaçit në opozitë ka akuzuar drejtpërdrejtë BDI’në e Ali Ahmetit, si partnere e koalicionit qeveritar në Maqedoni, për vendosjen e përmendores në qendër të Shkupit.

Deputeti i PDSH’së, Bekim Fazliu, tha se Car Dushanin në Shkup e solli Bashkimi Demokratik për Integrim, raporton TCH.

“Nëse mendoni se me cirkun që organizuat keni kryer punën dhe keni mashtruar shqiptarët, atëherë gaboni rëndë”.

“Car Dushani është aty”.

“Nga ai cirk që doli atë natë në shesh dhe nga ai cirk që pamë sot doli e vërteta: Carin na e solli BDI’ja”.

Deputetja e BDI’së Ermira Mehmeti, e  cila drejton këtë komitet, s’iu përgjigj akuzave të kolegut të saj shqiptar nga PDSH.

Ajo tha se replikat nuk ndihmojnë për të dalë nga situata të caktuara.

“Tendenca e qëllimshme për të diskredituar jo komitetin por kryetaren e komitetit nuk flet keq për mua, por flet për një ditë jo të mirë për ju personalisht”.

“Ju mund të vazhdoni ta bëni këtë, por mos mendoni se do të arrini ndonjë efekt”.

Ndërkohë që debatet për përmendoren e Car Dushanit vazhdojnë, në Maqedoni ende asnjë institucion nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për vendosjen e këtij monumenti.