Përplasje në Man Utd

Humbja e rëndë në udhëtim te Leicester City me rezultat 5:3, ka sjellë përplasjet e para në ekipin e Manchester Unitedit mes menaxherit Louis van Gaal dhe futbollistëve të tij.

Sport

23/09/2014 11:15

Humbja nga Leicester City ka lënë gurmë në Manchester United. Gjiganti anglez pësoi edhe një disfatë, kësaj radhe të rëndë në Premierligë dhe në ekip kanë filluar të shfaqen përplasjet e para.

Menaxheri Louis van Gaal është ndarë i pakënaqur me angazhimin e futbollistëve të tij në 30 minutat e fundit të humbjes 5:3.

Por, edhe lojtarët nuk është se i kanë mirëpritur vendimet e holandezit.

“Për çfarë arsye e zëvendësoi Di Marian?”, ishte pyetja e një futbollisti të Unitedit, por që u paraqit si anonim nga mediat britanike. Argjentinasi u zëvendësua tek rezultati i barabartë kurse United më pas pranoi edhe dy gola në një tjetër disfatë të rëndë në Premierligë.

Po ashtu, raportohet për përplasje mes futbollistëve ku disa e kanë kritikuar mbrojtësin Rafael për mënyrën si shkaktoi një prej penalltive.

Ndërsa, Van Gaal sulmohet nga mediat pasi investoi vetëm 16 milionë funte në mbrojtje duke angazhuar Marcos Rojon kur dihet se problemi kryesor i ekipit ishte dhe vazhdon të jetë në fazën defanzive.