Përplasje në Beograd
Konferenca për shtyp e kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama u karakterizua edhe me tension. Pas fjalës për Kosovën, ku Rama tha se është një realitet i pakthyeshëm, dhe se sa më shpejtë që ta kuptojë edhe Serbia, aq më mirë për rajonin, Vuçiq tha se nuk lejon që askush ta përbuz në Beograd, dhe nuk e din se çfarë lidhje ka Shqipëria me Kosovën "e Metohinë".
Lajme
Reagimi i kryeministrit serb ndaj fjalimit të Ramës për Kosovën, kur ky tha se pavarësia e saj është realitet, ka qenë shumë i ashpër dhe ka përfunduar pa përshendetjen protokollare përpara kamerave, e zakonshme në takime të këtilla.
“Ne nuk jemi armiq me njëri tjetrin. Por, kemi armiq të përbashkët. Ato janë varfëria, papunësia, deficiti… Në të njëjtën kohë sfida jonë e përbashkët është të bashkojmë forcat dhe t’i flasim Evropës me një gjuhë. Ne kemi shumë nevojë për Evropën ashtu sikurse Evropa ka shumë nevojë për Ballkanin”, ka thënë kryeministri Rama.
“Sa i përket Kosovës, realiteti mbetet një dhe i pandryshueshëm. Kosova është e njohur nga më shumë se gjysma e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe sa më shpejtë që pranohet ky realitet aq më mirë do të jetë për rajonin. Por ky realitet, të cilin e shohim ndryshe aktualisht, nuk duhet të na pengojë t’ia themi njëri – tjetrit në sy”, ka thënë Rama duke buzëqeshur me komentin e homologut të tij se “është temë e zgjedhur pa dashjën e tij”.
Rama ia ka përseritur qëndrimin për Kosovën, ndërsa Vuçiq ka reaguar sërish duke thënë se Kosova është Serbi, dhe se i vjen keq për këtë provokim që Rama i ka bërë, përkundër mikëpritjes që ai tha se i ka rezervuar.
Rama nga ana e tij ka reaguar duke thënë se mikpritja jo vetëm se do të jetë reciproke, por e ka sigururar Vuçiqin se do të ndjehet shumë mirë në Tiranë.
“Dhe, në asnjë mënyrë, asnjë fjalë e thënë prej jush nuk do të konsiderohet provokim, pavarësisht se mund të jetë tërësisht e ndryshme çfarë ne do të prisnim për një temë”.
Kryeministrat Rama dhe Vuçiq, pas takimit kokë më kokë, në këtë konferencë për shtyp, bënë të ditur se kanë nënshkruar marrëveshje që parasheh udhëtim vetëm me letërnjoftime, rritje e bilancit tregtar dhe bashkëpunimit ekonomik.
Vuçiq, ka falënderuar Ramën për pranimin e ftesës për vizitë, dhe ka thënë se është koha që të mos merren me populizëm e demagogji nacionaliste që pengon përmirësimin e raporteve të dy vendeve.
Ndërsa Rama në fjalën e tij para gazetarëve dhe opinionit ka bërë thirrje që të mos lejohet që historia të jetë pengesë e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe pengesë e integrimit të tyre në Bashkimin Evropian.
“Ne shqiptarë e kemi këtë vizion, ta ngrisim marrëdhënien në një nivel krejt tjetër, ku mendojmë se Ballkani i duhet Evropës. Suksesi i lidhjeve midis dy vendeve, është sukses i integrimit dhe jetës më të mirë. Është obligim i gjeneratave të reja”, ka thënë Rama, i cili sot do të ketë aktivitete në Beograd, ndërsa nesër parashihet të vizitojë Preshevën.
Rama gjatë konferencës ia bëri të qartë homologut të tij serb se shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të jenë në qendër të vëmendjes së Beogradit, dhe se duhet të kenë po aq të drejta sa kanë serbët e Kosovës.
Deklaratën e Ramës për Kosovën të marrë nga Top channel mund ta dëgjoni këtu.