Përplasje e ashpër Kurti – Borrell për Asociacionin, çfarë thanë të dy?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell kanë shprehur qëndrime të kundërta, lidhur me marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.

Lajme

07/12/2021 15:22

Në një konferencë të përbashkët për medie në Bruksel, kryediplomati evropian u shpreh i prerë në themelimin e Asociacionit, ndërsa kreu qeveritar tha se kjo marrëveshje nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

Përkitazi me këtë qëndrim, Borrell tha se nuk mund të ketë takim të ri të nivelit të lartë në dialog, derisa palët nuk kanë vullnet për rezultate konkrete.

“Nuk e kemi shpallur ende, e kemi bërë të qartë se pas dy takimeve të këtij viti se parakushtet për takimin e radhës janë gatishmëria e dy palëve për t’u pajtuar për rezultate konkrete, pasi është e padobishme të thirret një takim tjetër kur këto kushte nuk plotësohen, pra të takohemi për asgjë. Për sa kam kuptuar unë nga Lajcak, gatishmëri nuk ka në këtë moment, por nuk mund t’i detyrojmë palët… Ajo çka u tha gjatë këtij takimi është se krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe është pjesë e marrëveshjeve të Brukselit, kjo marrëveshje është e lidhur në mirëbesim nga palët e përfshira. Sigurisht që presim që tw gjitha marrëveshjet të zbatohen nga dy palët”, tha ai.

Por Kurti tha se nga 33 marrëveshjet me Serbinë, dy të tretat prej tyre nuk janë zbatuar nga Serbia.

“Janë 33 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Dy të tretat nuk janë zbatuar nga Serbia, por gjithmonë, Serbia kërkon zbatimin e vetëm njërws prej tyre, e cila nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Është koha të kemi një dialog kur qytetarët janë përfituesit dhe jo politikanët. Kemi nevojë për një karakter diplomatik të dialogut që njerëzit të përfitojnë nga ai”, deklaroi ai.

Pavarësisht këtij qëndrimi, Borrell ia përsëriti kryeministrit Kurti nevojën për implementimin e marrëveshjes për Asociacionin.

“Nuk pajtohem me juve që Gjykata Kushtetuese e bënë të pamundur implementimin e Asociacionit. Më vjen keq kryeministër, por më duhet t’iu kërkoj vazhdimisht implementimin e kësaj marrëveshje”, shtoi ai.