Përplasja në Kuvendin e Serbisë: Djali i Pantiqit ishte prezent, shprehet “i shokuar”

Predrag Pantiq, djali i Dejan Pantiq, i akuzuar për terrorizëm nga organet e drejtësisë në Kosovë ishte dje i pranishëm në seancën e Kuvendit të Serbisë ku pati përplasje të ashpra mes opozitës dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq. Ai thotë se ato skena, ku gati sa nuk pati përplasje fizike, “nuk janë në favor” të…

Lajme

03/02/2023 10:05

Predrag Pantiq, djali i Dejan Pantiq, i akuzuar për terrorizëm nga organet e drejtësisë në Kosovë ishte dje i pranishëm në seancën e Kuvendit të Serbisë ku pati përplasje të ashpra mes opozitës dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq.

Ai thotë se ato skena, ku gati sa nuk pati përplasje fizike, “nuk janë në favor” të serbëve në Kosovë, transmeton lajmi.net.

“Vetë ideja që ne të jemi të pranishëm në seancën ku po diskutohet një çështje kaq e rëndësishme është për ne një akt respekti, por edhe një dëshmi e harmonisë dhe unitetit të popullit serb në Kosovë”, thotë Pantiq.

“Nuk ishte aspak e këndshme, sidomos kur presidenti thoshte emrat tanë. Ne kishim një ndjenjë turpi dhe mendoj se nuk është një mënyrë për të mbrojtur Kosovën apo për të treguar unitetin serb për një çështje kaq të rëndësishme, por mund të përdoret në një kontekst negativ”, tha ai.

Ndryshe, arrestimi i Dejan Pantiq kishte nxitur ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës, të cilat kishin qëndruar për një kohë të gjatë.

Ngërçi ishte zgjidhur kur Gjykata kishte hequr masën e paraburgimit për ta vënë atë të arrestit shtëpiak, ndonëse Pantiq nuk ishte arritur asnjëherë të dërgohej në qendrën e mbajtjes. /Lajmi.net/