Përplasja me Halimin, kjo fotografi tregon gabimin e madh të Zhegrovës

Kosova nuk arriti më shumë se një barazim 1-1 me Bullgarinë në ndeshjen e parë kualifikuese për Euro 2020

Sport

28/03/2019 18:22

Kombëtarja e Kosovës zhvilloi dy ndeshje në muajin mars në Prishtinë, derisa njëri nga lojtarët që u kritikua më së shumti ishte Edon Zhegrova.

19 vjeçari që nuk po gjen hapësira te Baseli arriti që të luante në dy ndeshjet e Kosovës, fillimisht kundër Danimarkës e më pas ndaj Bullgarisë. Të dy këto takime ai i kishte nisur nga banka rezervë, por ishte inkuadruar në pjesë të dytë nga Bernard Challandes.

Zhegrova që njihet me nofkën ‘Messi kosovar’ pati një përplasje në fund të ndeshjes me Bullgarinë me bashkëlojtarin e tij, Besar Halimin.

Po zhvillohej minuta e 90 e takimit dhe Kosova nisi një aksion të bukur nga Zeneli, që pasoi te Rashica, të cilit gjuajtjen më pas ia ndalë portieri i Bullgarisë.

Topi i kthyer shkoi te Zhegrova, i cili u tregua egoist duke gjuajtur në drejtim të portës, ani pse Halimi po priste që të shërbehej ku më pas do të dilte në rast të 100 për qind për gol.

Diçka e tillë e irritoi Besar Halimin, i cili iu drejtua duke i bërtitur se pse nuk pasoi te ai, kurse Zhegrova njëherë duket se i kërkoi falje, teksa më pas thotë: “Boll bre, boll mos fol palidhje”.

Nëse Zhegrova do të tregohej altruist duke pasuar topin te Halimi, ndoshta ndeshja Kosovë-Bullgari do të mbyllej me rezultat 2-1 dhe jo 1-1. /Lajmi.net/