Përplasen për integrimet evropiane
Përfaqësuesit e subjekteve politike folën sot në emisionin Magazinë Zgjedhore për politikën e jashtme, proceset integruese dhe imazhin e Kosovës. Politika e jashtme dhe proceset integruese nga partitë opozitare u vlerësuan si të dështuara, ndërkaq Vlora Çitaku tha se MSA-ja është arritje e përbashkët.

Lajme
Ministrja në detyrë e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku tha se ka pasur një konsensus të gjerë politik sa i përket procese integruese të Kosovës. Ajo tha se përparimet në MSA janë bërë me punë të përbashkët, ndërsa ripërsëriti edhe njëherë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e liberalizimit të vizave të dala nga Udhërrëfyesi.
“Nuk ka fije dyshimi se integrimi i Kosovës në BE është prioritet për PDK dhe Misionin e Ri. Ne e kuptojmë këtë proces si proces të brendshëm transformimi, ku ne përqafojmë në përgjithësi vlerat dhe aspiratat evropiane. Ne jemi shumë të përqendruar në zhvillimin ekonomik si një ndër parametrat kyç të integrimeve evropiane. E rëndësishme është që të ruhet ky konsensus politik që është në Kosovë për agjendën e integrimeve evropiane”.
“Por dialogu për këtë proces i ka ngjasuar më shumë një monologu sesa një dialogu. Ne kemi pasur vetëm një raport nga BE-ja. Tani është i pashmangshëm liberalizimi i vizave”, tha Çitaku.
Në anën tjetër, Vjosa Osmani, nga LDK, tha se Kosova ka dështuar në proceset integruese. Ajo tha se LDK i jep një prioritet të veçantë në programin e saj integrimit dhe politikës së jashtme dhe premtoi se brenda disa muajve të qeverisjes së tyre, liberalizimi i vizave do të ndodhë.
“Gjatë këtyre viteve Kosova ktheu pamjet e viteve 1999, sepse procesi i integrimeve dështoi në tërësi. Raporti i fundit vlerësues për liberalizimin e vizave tregon që ka dështim në shumicën e përmbushjes së kritereve veçmas tek sundimi i ligjit. Integrimi evropian është një ndër katër shtyllat kryesore të programit tonë, kështu që e konsiderojmë që ka të bëjë si çështje me përmbushjen e kritereve brenda. MSA-ja ka më shumë konotacion politik dhe ne besojmë se do ta nënshkruajmë atë. Për përmbushjen e kritereve në sundimin e ligjit duhet një qeveri kredibile, një qeveri që nuk ndërhyn në sistemin gjyqësor”.
Sipas saj, LDK do të ndërtojë një platformë që ka të bëjë me luftimin e krimit dhe korrupsionit institucional, sepse kemi njerëz që e kanë kapur shtetitn, dhe nuk mund të kemi avancim pa e dënuar pushtetin.”
Avni Arifi, nga AAK, tha se dështimi i Kosovës në politikën e jashtme dhe në proceset integruese ka ndodhur si pasojë e të dy qeverive të Hashim Thaçit. Ai fajësoi qeevrinë edhe për imazhin e keq që ka sot Kosova në Evropë.
Premtoi se me AAK-në, liberalizimi i vizave do të ndodhë në vitin e parë të qeverisjes.
“Vështirësitë që janë krijuar në liberalizimin e vizave dhe integrimit janë pikërisht për shkak të mos vullnetit të qeverisë dhe keqqeverisjes. Integrimet evropiane janë aktivitete të tërë qeverisë dhe nuk aktivitet i vetëm një ministrie. Imazhi i Kosovës është një imazh i keq dhe kurrë Kosova nuk ka pasur imazh më të keq, qeverisja e 7 viteve i ka dhënë goditje të mëdhaja imazhit të Kosovës në Evropë. Ne besojmë se do të sigurojmë për një kohë rekorde liberalizimin e vizave, bëjë premtim publik që do e bëjmë brenda këtij viti”.
Ndërkaq, Puhie Demaku nga Vetëvendosje tha se subjekti i saj mendon se politika e jashtme duhet të jetë në funksion të mbrojtjes së shtetit dhe interesave të qytetarëve.
“Ka munguar politika e jashtme. VV vlerëson se pa pasur parime për politikë të jashtme nuk mund të ecësh përpara. Konsiderojmë që politika e jashtme duhet të jetë në funksion të mbrojtjes së shtetit, mbrojtjes së interesave dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve. Pa ndërtuar një bazament përbreda nuk mund të kesh politikë të jashtme. Ne duhet të bashkëpunojmë me vendet që na kanë njohur dhe, e dyta, është krijimi i raporteve të mira me 5 vendet e BE-së që nuk na kanë njohur”.
Afrim Hoti, nga AKR, tha se vetëm me partinë e tij, me qeverisjen me duar të pastra mund të ecet përpara në proceset integruese.
“Unë mendoj që ka hapësirë për kritikë dhe pajtohem se Kosova lëngon në sundim të ligjit, në korrupsion. Në këtë drejtim mendoj që AKR është një hap përpara në kuptimin e dhënies së provave dhe dëshmive se në një vend si Kosova mund të qeveriset me duar të pastra. Kosova mund të ecë vetëm përmes zhvillimit ekonomik. Liberalizimi i vizave, pavarësisht justifikimeve, qytetarët e Kosovës padrejtësisht i nënshtrohen një regjimi të vizave. Mendoj se sikur të plotësoheshin në mënyrë strikte kriteret do të vinte edhe liberalizimi i vizave”.
Një përplasje gjatë debatit ndodhi në mes të Puhie Demakut dhe Vlora Çitakut. Përderisa po i shtronte pyetje ministres se në preambulën e marrëveshjes së MSA-së a përmendet Republika e Kosovës, ajo nuk harroi që t’i rikujtojë edhe fjalën “Pronto”.
“A shkruan në preambulë Kosova apo Republika e Kosovës? A i di ti kufinjtë e Kosovës, a e keni bërë demarkacionin, a i keni bërë pasaportat? Pronto Vlora”.
Ndërkaq, Çitaku me shumë qetësi kërkoi që të ruhet niveli i debatit, duke shtuar se zgjedhjet mbarojnë dikur.
“Demarkacioni dhe kufinjtë janë çështje tjetër. Puhie nuk është mirë që të ulet niveli i debatit, nuk është mirë që ta ulësh kokën, por duhet shikuar tjetrin në sy kur flet, sepse zgjedhjet përfundojnë pas 8 qershorit”.
“Po më vjen mirë që Vetëvendosje e paska njohur Republikën e Kosovës, e për atë se si është e shkruar në preambulë, nuk duhet vënë çdo gjë në pikëpyetje”, tha Vlora Çitaku.