Përplasen dy aeroplanë, asnjë i lënduar

Në aeroportin Stansted të Londrës janë përplasur dy aeroplanë “Boeing” të kompanisë “Ryanair”, por për fat të mirë asnjë nga udhëtarët nuk është lënduar, ndërsa aeroplanët kanë pësuar dëme të mëdha.

Bota

29/06/2014 16:21

Përplasja ka ndodhur në mes të aeroplanit i cili kishte për destinacion Varshavën, dhe aeroplanit tejtër që  sapo kishte aterruar nga Franfurti.

Policia dhe zjarrfikësit menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa fluturimet tjera janë realizuar me vonesë mbi tri orë.

Zëdhënësi i kompanisë “Ryanair”, Robin Kiely ka deklaruar se përplasja ka ndodhur kur krahu i njërit prej aeroplanëve ka prekur bishtin e aeroplanit tjetër.

“Deri te përplasja e dy aeroplanëve të kompanisë Ryanair ka ardhur në momentin kur një krah i njërit aeroplan ka prekur bishtin e aeroplanit tjetër. Kontakti ka ndodhur kur njëri aeroplan ka lëvizur në pistë, ndërsa aeroplani tjetër ka qenë i kyçur në rimorkiator transportues. Udhëtarët e aeroplanit të dëmtuar kanë kaluar në aeroplan tjetër dhe kanë vazhduar udhëtimin e tyre, me një vonesë prej tri orësh pas përplasjes”, ka thënë ai.

Një nga udhëtarët e këtij aeroplani ka publikur në Twitter: “Aeroplani në të cilin ndodhem pikërisht në këtë moment është përplasur me aeroplanin i cili ishte duke u larguar nga pista e aeroportit. Ishte përplasje e madhe, por për fat asnjë nga udhëtarët nuk ka pësuar lëndime”.