Përndritja e Vetëvendosjes

Vetëvendosje mbyll fushatën në Prishtinë. Albin Kurti thotë se kjo Lëvizje do të sjellë ndryshime radikale në Prishtinë dhe tërë Kosovën. Shpend Ahmeti flet për dritën në fund të tunelit.

Lajme

01/11/2013 19:10

Lëvizja Vetëvendosje ka elektrizuar Sallën 1 Tetori në Prishtinë, në përmbyllje të fushatës, me një mesazh revolucionar: “Ne po vijmë”.

Vetëvendosje është si një dritë në fund të tunelit, tha kandidati për Kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Sipas tij, kjo dritë simbolizon një tren shkatërrues për qeveritarët e korruptuar, ndërsa për qytetarët një dritë shprese në fund të tunelit.

Ahmeti ka premtuar se me fitoren e tij, Prishtina nuk do të jetë më një qytet që krijon mundësi vetëm për të pasurit, por do të jetë i barabartë për të gjithë sikur që ishte në të kaluarën.

“Ne do t’ia kthejmë shkëlqimin qytetit, por jo shkëlqimin e së kaluarës, por shkëlqimin e së ardhmes, të një qyteti të ri dhe modern që kujdeset për qytetarët e vet e jo për mirëqenien e pushtetarëve dhe familjarëve të tyre”.

“Shumë njerëz na e kanë thënë se Vetëvendosje është si një dritë në fund të tunelit. Kjo dritë nënkupton dy gjëra, mund të jetë treni që po vjen dhe mund të jetë fundi i tunelit. Kur na pyesin se cila nga këto të dyja jeni ju, ne ju themi që jemi që të dyja; për hajna dhe të korruptuarit jemi treni dhe ikni sa më shpejtë, ndërsa për qytetarët është drita në fund të tunelit”.

Lideri i kësaj Lëvizje, me një fjalim që ngjante me fjalimet e inspiruesve të mëdhenj botërorë, ka mbajtur për minuta të tërë në këmbë të pranishmit në sallë.

Ai tha se Vetëvendosje ka angazhuar një armatë të tërë vëzhguesish dhe komisonerë që do ta ruajnë votën e lirë nga manipulimet.

Kurti tha se me fitoren e VV’së do ta ribëjnë Prishtinën një komunë kur respektohen të drejtat e shumicës.

“Pasuria e qytetarëve në Kosovë është bërë pasuri e pushtetarëve, por me qeverisjen e Vetëvendosjes pasuria do t’u konfiskohet pushtetarëve dhe do ta ribëjmë për qytetarët. Me fitoren e VV’së, nuk do të jetë më kriter punësimi libreza e partisë por përgatitja profesionale dhe edukative”.

“Në Kosovën e pas luftës politikanë vijnë në pushtet me para dhe për para. Shpend Ahmeti nuk vjen në pushtet me para por me organizim dhe ai nuk vjen në pushtet për para, por për qeverisje të mirë”.

Albin Kurti ka elektrizuar sallën, me mënyrën si e ka përmbyllur fjalimin e tij:

“Ata kanë klientë. Ne jemi qytetarë. Ata janë pronarë. Ne jemi prodhues. Ata janë zaptues. Ne jemi çlirues. Ata janë imitues. Ne jemi krijues. Ata kanë lojëra fati. Ne jemi fati që nuk luan.”

“Ata duan feude. Ne duam Komunë. Ata duan principatë. Ne duam Republikë. Ata duan ndarje. Ne duam bashkim. Ata duan më shumë prona. Ne duam më shumë vende pune. Ata duan privaten. Ne duam publiken. Ata janë materialistë. Ne jemi idealistë. Ata janë të korruptuar. Ne jemi të pakorruptueshëm.”

“Ata duan të sundojnë. Ne duam të qeverisim. Ata janë sundimi pa alternativë. Ne kemi alternativë qeverisëse. Ata e keqpërdorin buxhetin. Ne do ta rrisim buxhetin. Ata duan ta ndajnë buxhetin. Ne duam ta ndajmë mirëqenien. Ata shpenzojnë. Ne do të investojmë. Ata janë përfaqësimi formal me vendimmarrje informale. Ne jemi pjesëmarrja përmbajtësore me vendimmarrje demokratike.”

“Ata kanë xhipa. Ne duam trotuare. Ata kanë vëllezër e kushërinj. Ne kemi shoqe dhe shokë. Ata kanë gurthyes. Ne kemi libra. Ata duan heshtje. Ne jemi zëri. Ata kanë parti që ngecin. Ne jemi lëvizja që ecën. Ata duan të frikësojnë. Ne gjithmonë guxojmë. Ata do të humbin. Ne do të fitojmë!”