Vazhdon tragjedia në detin Egje, vdesin 10 refugjatë nga përmbytja e anijes

Raportohet për 10 refugjatë të vdekur nga përmbytja e një barke e cila po nisej nga bregdeti turk, në drejtim të Greqisë, raporton agjencia e lajmeve Dogan.

Bota

30/01/2016 13:39

Më shumë se një milion refugjat dhe emigrant kanë arritur përmes detit në Bashkimin Evropian gjatë vitit të kaluar. Kurse, kanë vdekur ose janë zhdukur rreth 3,600 persona.

Rojet bregdetare të Turqisë në vazhdimësi kanë kërkuar për të shpëtuarit nga përmbytja e anijes, mirëpo ende nuk dihet sa persona kanë qenë në anije.

Nga të vdekurit, raportohet se janë 5 fëmijë. Numri i personave që kanë shpëtuar ka arritur në 43, të cilët njëherit janë hospitalizuar.

Turqia ka qenë vendi më i prekur nga emigrantët për shkak të pozitës së saj gjeografike dhe afërsisë me Sirinë, prej nga vijnë edhe shumica e refugjatëve. Turqia gjatë muajit nëntor ka nënshkruar edhe një marrëveshje me Bashkimin Evropian, e cila i ka ofruar një shumë prej 3 miliardë euro për t’u siguruar kushtet e nevojshme 2.5 milionë refugjatëve, me qëllim që të ndalë numrin e atyre që synojnë Evropën.