Përkujtohet masakra e Pastaselit, Kurti: Krimi i Serbisë as nuk harrohet dhe as nuk falet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në zbulimin e pllakës përkujtimore të dëshmorëve dhe martirëve të rënë në masakrën në fshatin Pastasel të Komunës së Rahovecit, ka thënë se duke u përbashkuar në këtë vend, denoncojmë forcat serbe, pasi që 106 qytetarë të këtij fshati u vranë vetëm se ishin shqiptar. Kurti para qindra të pranishmëve…

Lajme

31/03/2023 14:53

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në zbulimin e pllakës përkujtimore të dëshmorëve dhe martirëve të rënë në masakrën në fshatin Pastasel të Komunës së Rahovecit, ka thënë se duke u përbashkuar në këtë vend, denoncojmë forcat serbe, pasi që 106 qytetarë të këtij fshati u vranë vetëm se ishin shqiptar.

Kurti para qindra të pranishmëve tha se kjo pllakë përkujtimore është një pikë kujtimi për brezat që do të vinë në mënyrë që kurrë mos të harrohet gjenocidin e Serbisë, krimet kundër njerëzimit e krimet e luftës.

“Ajo çka e bënë këtë masakër të Pastaselit ndër masakrat më të tmerrshme në Kosovë, është se së pari kemi torturim të shqiptarëve e pas torturimit i ndajnë në grupe, ku në grupin e parë i vrasin fëmijët, në mënyrë që edhe prindërit e tyre, edhe gjyshërit e tyre t’i shohin duke vdekur djemtë e nipat e tyre, e më pastaj i pushkatojnë edhe prindërit e gjyshërit. Kjo e bënë shumë të tmerrshme këtë masakër…ata kriminelet nuk janë më këtu, ju jeni dhe do të jeni gjithmonë këtu, e kriminelet duhet të jenë prapa grilave, qoftë në drejtësi ndërkombëtare, qoftë vendore. Krimi i Serbisë as nuk harrohet, as nuk falet”, ka thënë ai.

Kurti në ceremoni të përkujtimit të masakrës në Pastasel, theksoi se duke kujtuar të rënët, denoncohen kryesit e këtij krimi.

“Sot jemi këtu për ta ruajtur dhe kultivuar kujtimin e viktimave të gjenocidit të ushtruar nga Serbia mbi shqiptarët në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Duke u përbashkuar në këtë vend, pikërisht këtu ku forcat serbe e kryen masakrën e Pastaselit 24 vjet më parë, ne shënojmë historinë e këtyre viktimave dhe denoncojmë kryerësit e këtij krimi. Më 31 mars 1999, policia serbe vrau dhe masakroi 106 shqiptarë të pa armatosur në Pastasel për të vetmën arsye se ishin shqiptar. Vetëm një javë pas fillimit të fushatës ajrore të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, fshati Pastasel i Rahovecit u bë vendi ku humbën jetën nga armët e policëve të Serbisë plotë 106 njerëz nga Pastaseli, por edhe nga fshatra tjera si Seoci, Kremniku, Kazniku, Kramoviku, Palluzha dhe nga vend të tjera. Nga kjo masakër kemi ende persona të zhdukur me dhunë”, theksoi Kurti.

Po ashtu Kurti, tha se thirrja dhe gatishmëria qeveritare për t’i ndjekur kriminelët serbë të luftës duhet të has në interesimin urgjent dhe të shtuar të Prokurorisë së Kosovës.

“Dua ta ritheksoi përkushtimin tim maksimal jo vetëm për kujtimin e viktimave të luftës, por edhe për studimin e historisë si dhe angazhimin institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës në sistemin e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare. Thirrja dhe gatishmëria qeveritare për t’i ndjekur kriminelët serbë të luftës duhet të has në interesimin urgjent dhe të shtuar të Prokurorisë së Kosovës”, tha ai.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se UÇK erdhi si një bekim dhe shpresë për popullin e Kosovës. Ai përmendi edhe bashkëluftëtarët e tij, siç tha ai që po mbahen padrejtësisht në Hagë dhe ftoi të gjithë qytetarët ta dalin në protestë më 2 prill.

“Lufta jonë e drejt dhe domosdoshme nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u mbështet nga populli ynë i shumë vuajtur e pas edhe nga fuqitë demokratike botërore. UÇK erdhi si një bekim dhe shpresë për popullin e Kosovës. Djem e burra të kësaj ane si Milaim e Fadil Krasniqi nuk menduan gjatë, sepse ishin të bindur se rrugë tjetër liria nuk kishte, përveçse të mundit, djersës dhe gjakut”, theksoi Latifi.

Përfaqësuesi i fshatit, Afrim Krasniqi ka kërkuar drejtësi nga institucionet vendor dhe ndërkombëtare për vrasjen e 106 qytetarëve në Pastasel.

“Sot 24 vjet më parë në përroin e këtij fshati u ven në shënjestër të barbarisë serbe 106 qytetarë, të cilët u vranë dhe u masakruan në mënyrë më barbare nga serbët. Ndërsa, më 30 mars fshati ishte mbushur me dhjetëra mijëra qytetarë nga fshatrat për rreth… prandaj, si familjarë të të rënëve kërkojmë nga institucionet tona dhe ndërkombëtare të bëjnë më shumë për zbardhjen dhe dënimin e atyre keqbërësve”, theksoi ai.