Përkujtohen dëshmorët e Betejës së Zhegocit

Sot është shënuar 16 vjetori i betejës së Zhegocit, në të cilën ranë shumë dëshmorë e martirë.

Lajme

15/04/2015 19:25

Në tubimin e mbajtur në Zhegoc të Gjilanit, të organizuar nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, kanë marrë pjesë përfaqësues të Komunës, deputetë, veteranë të luftës, përfaqësues të FSK-së, përfaqësues nga policia, si dhe aktivistë e veprimtarë të çështjes kombëtare.

Në emër të kryetarit Haziri ka folur drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Ramiz Ramadani, i cili Betejën e Zhegocit e ka vlerësuar si Betejë të Lavdisë.

“Në këtë beteje të lavdisë bie dëshmori i parë Pajazit Ahmeti, ndërsa në një pikë tjetër të frontit, kalvarit të dëshmorëve i bashkohet Alban Ajeti. Malësia e Zhegocit ishte shndërruar në arenë të ashpër të rënies e flijimit sublim në altarin e lirisë po i bashkoheshin: Hanumshahja, Gafurri, Sherifi, Enveri, Sahiti, Shahini, Bahriu, Ibrahimi, Bajrami, Bejtushi, Shefkiu etj., gjaku i të cilëve u bë themel i lirisë të cilën po e gëzojmë”, ka thënë Ramadani.

Në këtë tubim, fjalë rasti mbajti edhe kryetari i Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Gjilan, Ahmet Daku dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, të cilët vlerësuan se familjet e dëshmorëve duhet të jenë krenare për sakrificën e bijëve të tyre për të mirën e përgjithshme.

Ky manifestim është përmbyllur me një program të pasur kulturor-artistik, të cilin e ka përgatitur këshilli i fshatit Zhegoc.

Në betejën e Zhegocit u vranë tetë ushtarë të UÇK-së: Pajazit Ahmeti, Alban Ajeti, Hanumshahe Abdullahu, Tefik Zymberi, Sahit Baftiu, Shahin Baftiu, Kastriot Baftiu, Njazi Osmani dhe 18 civilë. Ndërsa në fshatin Sllovi u vranë 49 civilë, transmeton KosovaPress.