Përkujtohen 147 viktimat e masakrës së Izbicës

Janë përkujtuar të premten në Izbicë të Skenderajt 147 viktimat që u masakruan 15 vjet më parë nga forcat ushtarake e policore serbe.

Lajme

28/03/2014 15:11

Në këtë tubim përkujtimor, përveç familjarëve, përfaqësuesve të pushtetit lokal e qendror, shoqatave të dala nga lufta, dhe qytetarëve të shumtë, ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri Thaçi, ka thënë se sa më afër i vinte fundi sundimit të Serbisë, okupatori intensifikonte dhunën dhe krimet ndaj civilëve shqiptarë.

“Në muajt e fundit të sundimit, Serbia intensifikoi dhunën dhe krimin mbi popullatën shqiptare. U bënë masakrat në Therandë, Krushë e Madhe, Krushë e Vogël, Qyshk, Izbicë. Është një histori shumë e dhembshme, por edhe krenare. Të gjithë ata që u vranë në Izbicë, pleq, gra e të tjerë, po paguanin një çmim të madh për liri”, theksoi Thaçi, duke shtuar se vrasja e tyre kishte tronditur tërë botën e civilizuar.

Sipas tij, 15 vjet pas masakrës së Izbicës, Kosova është në rrugë të mirë për t’u anëtarësuar në NATO, BE dhe në OKB.

Familjarë të viktimave të masakrës së Izbicës, janë ndarë të kënaqur me punën që është bërë në rregullimin e kompleksit të varrezave të Izbicës.

Gani Behrami, përfaqësues i fshatit, tha se tani mungojnë trupat edhe të 15 civilëve të tjerë, të pushkatuar në Izbicë.

“Nga 156 të ekzekutuarit në Izbicë, të cilët ishin zhvarrosur dhe ishin dërguar në drejtim të panjohur, deri tani janë identifikuar 131 prej tyre. Kanë mbetur edhe 15 të tjerë, varret e të cilëve akoma presin kthimin e tyre”, ka thënë Behrami.