Përkrahja sllovene

Ambasadori Nexhmi Rexhepi, në një ceremoni zyrtare në Pallatin Presidencial në Lubjanë, ia ka dorëzuar letrat kredenciale presidentit të Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor.

Lajme

19/11/2013 09:33

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka ritheksuar mbështetjen e tij të plotë për forcimin e fuqizimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve me Kosovën, si në rrafshin politik ashtu edhe në atë ekonomik.

Presidenti slloven ka thënë se Sllovenia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj të integrimeve evropiane.

Mbështetjen e tij për Kosovën, Presidenti Pahor e ka ritheksuar në ceremonin zyrtare të  organizuar në Pallatin Presidencial në Lubjanë për Ambasadorin e Kosovës në Slloveni, Nexhmi Rexhepi, në  të cilën ambasadori ynë ia ka dorëzuar letrat kredenciale Presidentit slloven.

Pas ceremonisë së dorëzimit të letrave kredenciale, presidenti Pahor dhe ambasadori Rexhepi, kanë zhvilluar një bisedë miqësore, me ç’rast presidenti Pahor i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Sllovenisë ambasadorit Rexhepi, si dhe ka shprehur kënaqësinë e tij për marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës.

Ambasadori Rexhepi, e ka falënderuar presidentin Pahor për mikpritjen dhe akreditimin e tij, si dhe i ka përcjell përshëndetjet e përzemërta të presidentes dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Po ashtu, ambasadori Rexhepi e ka njoftuar presidentin Pahor për proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

Ambasadori Rexhepi, është ambasadori i tretë i Kosovës në Slloveni. Para këtij mandati, ai ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Mbretërinë e Holandës.