Përgjigje zyrtare e NATO-s për lajmi.net: FSK-ja mund të shkojë në veri të Kosovës vetëm me lejen e komandantit të KFOR-it

Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, ka publikuar një marrëveshje e cila është nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Andres Fog Rasmussen në vitin 2013.

Lajme

26/02/2020 17:16

Në prill të vitit 2013 në Bruksel, presidenti Hashim Thaçi, në atë kohë kryeministër i Kosovës, kishte nënshkruar një marrëveshje me Sekretarin e Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Andres Fog Rasmussen, me të cilin KFOR-it i jepen të drejta ekzekutive të ndërhyrjes në veri të vendit dhe se, Forca e Sigurisë së Kosovës, nuk mund të shkojë në atë pjesë të Kosovës pa ndonjë leje nga NATO-ja.

Lexo edhe: 

Kurti njofton Osmanin për një “marrëveshje të fshehtë të Thaçit me Sekretarin e NATO-s”

Se FSK-ja nuk mund të shkojë në veri të vendit pa lejen e KFOR-it, kjo është konfirmuar për lajmi.net, edhe nga NATO-ja.

Një zyrtar i NATO-s, duke folur për lajmi.net ka bërë të ditur se misioni i KFOR-it në Kosovë mbetet i pandryshueshëm dhe do të vazhdojë të ketë të njëjtin mision edhe në të ardhmen, pra ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Lexo edhe: 

Kurti e kërkon shkarkimin e Thaçit, konstaton se ka bërë shkelje të rënda të Kushtetutës

Sipas këtij zyrtari, çdo lëvizje e FSK-së në drejtim të veriut të Kosovës duhet të bëhet me leje paraprake nga komandanti i KFOR-it.

“Misioni ynë KFOR-i ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor në 20 vitet e fundit. Misioni ynë mbetet i pandryshuar, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Ne jemi atje për të mbajtur një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë. Çdo lëvizje e FSK-së në pjesën veriore të Kosovës kërkon njoftim paraprak dhe leje nga Komandanti i KFOR-it. Për 20 vjet, paqja dhe stabiliteti në Kosovë kanë qenë përparësi për NATO-n. Mandati ynë nuk ka ndryshuar dhe ne do të vazhdojmë misionin tonë paqeruajtës”, ka bërë të ditur ky zyrtar për lajmi.net.

Lexo edhe: 

Njohësit e kushtetutës: Kurti po bën ‘luftë’ të re politike, Thaçi nuk mund të shkarkohet

Po ashtu, sipas këtij zyrtari, NATO-ja mbështet fillimin e dialogut Kosovë-Serbi, pasi që kjo është zgjidhja e vetme politike për paqen në rajon.

“NATO-ja gjithashtu mbështet rifillimin e dialogut të sponsorizuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës si zgjidhja e vetme politike e qëndrueshme për rajonin”, ka theksuar ky zyrtar. /Lajmi.net/

Lexo edhe: 

Haradinaj i reagon Kurtit: FSK ka mandat të plotë, në tërë territorin e Kosovës

Lexo po ashtu: 

Isa Mustafa më 2015: FSK-ja në veri vetëm me leje të NATO-s