Përgjigja interesante e Ranierit pas vendimit të Romës për ta larguar De Rossin

Pas 19 viteve shërbimi në skuadrën e Romës, mesfushori Daniele De Rossi do të largohet nga skuadra, në fund të këtij sezoni.

Sport

16/05/2019 16:20

Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, ka thënë se presidenti James Pallotta dhe Franco Baldini mund t’i ishin qasur më ndryshe largimit të De Rossit nga klubi.

Duke folur në konferencën për shtyp para ndeshjes së Romës ndaj Sassuolos, Ranieri, i cili gjithashtu do të largohet në fund të këtij sezoni, beson se largimi i mesfushorit do të jetë humbje e madhe për skuadrën.

Mesfushori veteran ka bërë të ditur se do të largohet nga skuadra në fund të këtij sezoni, por sipas Ranierit, ky nuk ishte vendimi i lojtarit.

“Për tifozët që më kanë pyetur se kush morri vendimin për De Rossi, unë kam thënë: ‘I atyre në Londër dhe Amerikë’” ka thënë Ranieri, transmeton lajmi.net.

“Aty jeton presidenti dhe të afërmit e tij. Kjo ishte. Nuk di asgjë për planet e Pallotta reth të ardhmes, nuk kam folur rreth tyre. Kam mbyllur raportet e mia me Romën pas dy ndeshjeve” ka thënë tutje trajneri italian.

De Rossi i ishte bashkuar skuadrës së Romës në vitin 2000, dhe që atëherë ka regjistruar 615 paraqitje, duke shënuar 63 gola.

Mesfushori italian ka fituar dy herë radhazi kupën e Italisë, në vitet 2007 dhe 2008, si dhe Superkupën në vitin 2007.

Gjithashtu, De Rossi ishte shpallur edhe lojtari më i mirë i vitit në Serie A, në vitin 2009. /Lajmi.net/