Përgjegjësia supreme

Jemi vet përgjegjës për këtë shtet. Për sukseset dhe dështimet e tij. Nuk ka dhe nuk mund të ketë adresë tjetër.

Opinion

15/08/2019 08:39

Blerim Shala

Një Komunikatë/ Deklaratë me shkrim e Ambasadorëve të pesë shteteve kryesore perëndimore në Prishtinë, është bërë shkaktare e shumë interpretimeve, spekulimeve, shpjegimeve në skenën politike vendore.

Asgjë e re, në fakt.

Ka kohë, në realitet, ka vite kur në politikën kosovare ne nuk po tregohemi të vullnetshëm për të kuptuar se çfarë na porositin kryeqendrat perëndimore, të cilat një nga një dhe ashtu së bashku, janë gjithsesi hisenike në çlirimin dhe në pavarësimin e Kosovës. Por ato, nuk janë dhe nuk duan të jenë hisenike në përgjegjësinë tonë që kemi, në udhëheqjen me shtetin e Kosovës.

Ku ka mbërri ky raport i joni me shtetet kryesore mike perëndimore, mbase më së miri tregon episodi paradoksal i ditëve të fundit, kur një Ministri emitoi një komunikatë për përmbajtjen e takimit me një Ambasador të Quint-it, e cila nuk reflektonte, në mënyrë të drejtë apo autentike, thelbin e këtij takimi. Vetëm pas demantit të cilin e bëri Ambasadori, ajo Ministri u detyrua ta përgënjeshtrojë veten.

Diçka e tillë mund të ndodhë edhe në ditët në vijim, sipër interpretimeve që morën dhenë pas asaj Komunikate të Quint-it, që këmbëngulte, me të drejtë (gjithsesi), në obligimin e politikës kosovare që t’i kthehet dialogut me përfaqësuesit e Serbisë dhe të përpiqet për ta bërë Marrëveshjen gjithpërfshirëse me Beogradin.

Kështu, me atë të moçmen ‘çfarë ka dashtë autori të na thotë’  (e ne e dimë më mirë këtë se vet ‘autori’, apo në këtë rast pesëshja e Ambasadorëve perëndimorë), ne u ngutëm të konkludojmë që kryeqendrat perëndimore nuk duan që në Kosovë të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare  (në javët në vijim), apo që ato preferojnë ri-organizimin e Qeverisë së Kosovës, për ta bërë një tjetër shumicë parlamentare, me qëllim të vetëm për ta kryer dialogun sa më parë.

Ky është një rrëfim dhe një interpretim tashmë i parë.

Në politikën kosovare, prej vitit 2015-të e këndej  (më para ka qenë më ndryshe), vazhdimisht kemi mundur të venerojmë dy tendenca mbizotëruese.

Në njërën anë, na gufon ai delli që të dëshmojmë, edhe para atyre para të cilëve diçka e tillë është fare e panevojshme, që jemi shtet i pavarur dhe sovran, dhe që ne vetë dimë t’i artikulojmë dhe mbrojmë interesat tonë si shtet.

Në anën tjetër, sa herë dëshpërohemi me vetëveten  (tek qytetarët e zakonshëm të vendit, kjo është gjendje të thuash permanente tash e sa kohë), shpresojmë që SHBA-ja dhe shtetet kryesore perëndimore, do të gjejnë disi mënyrë që të intervenojnë politikisht, dhe të na shpëtojnë prej çorodive origjinale që janë ‘prodhim vendor’.

Te dy këto tendenca janë krejtësisht joreale dhe të dëmshme.

Kjo e para pastaj, në kërkimin e meçdokushtshëm që të dëshmohemi si ‘sovran’, shfaqet edhe në trajtë të atij interpreimi të gabuar, të paqëndrueshëm të këshillave dhe porosive të cilat i kemi marrë nga kryeqendrat perëndimore, përfshirë edhe këtë më të fundit.

Washingtoni ta zëmë, na thoshte vazhdimisht që Marrëveshja për shënimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi është në rregull dhe ajo duhet të votohet në Kuvendin e Kosovës, por ne haptasi e kontestonim këtë konstatim të Adminstratës së kaluar të Amerikës, edhe kur në emër të saj, midis Prishtinës, fliste Jo Biden, Zëvëndës-Presidenti i saj, dhe miku i madh i Kosovës.

Sivjet, Administrata amerikana na sygjeronte që ta pezullojmë taksën ndaj Serbisë, dhe t’i kthehemi dialogut me Serbinë, i cili sipas Presidentit Trump, Sekretarit Pompeo dhe të gjithë zyrtarëve të tjerë amerikanë duhet të merr fund me njohjen formale reciproke midis dy shteteve. As ky sygjerim nuk u përfill prej nesh.

Me Komunikatën e Quint-it të kësaj jave, kjo është tani thirrje dhe qëndrim i pesë shteteve më të mëdha perëndimore, me qëllim evident që këto tema të mos bëhen burim i ‘kontaminimit politik’ në fushatën parazgjedhore e cila ka nisur edhe para se të shpërbëhet Kuvendi dhe të shpallet data e zgjedhjeve.

Sa për tendencën e dytë, të një intervenimi politik dhe diplomatik perëndimor për t’i ndrequr punët tona, diçka e tillë nuk duhet pritur fare. Jemi vet përgjegjës për këtë shtet. Për sukseset dhe dështimet e tij. Nuk ka dhe nuk mund të ketë adresë tjetër.

Natyrisht, në përpjekjet dhe synimet tona gjithmonë mund të llogarisim në ndihmën dhe përkrahjen e këtyre pesë shteteve Perëndimore. Ky relacion nuk zhbëhet dot.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)