Përgjegjësia e dialogut bie mbi Qeverinë – Haliti: S’është e nevojshme pjesëmarrja e opozitës

Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherit deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, tha se nuk është e nevojshme dhe me patjetër që opozita të jetë pjesë e delegacioneve në dialog me Serbinë.

Lajme

09/05/2021 08:34

Sipas tij, përgjegjësia kryesore duhet të adresohet tek ata që Kushtetuta u ka dhënë të drejtën për të përfaqësuar, pra te Qeveria e vendit.

“Nuk do të thotë opozita me qenë pjesë e delegacioneve, do të thotë opozita me qenë e informuar, pjesë e debatit të brendshëm me qenë pjesë e debatit edhe me dyer të mbyllura pse jo kur ka nevojë, por përgjegjësia duhet me qenë e adresuar tek ata që u ka dhënë kushtetuta e Kosovës të drejtën me përfaqësuar”.

Tutje ai theksoi që procesi i dialogut është i shumanshëm, por ai është shumë skeptik për arrijnë e një marrëveshje pa ndërhyrjen e BE-së dhe ShBA-së.

“Dialogu tani është i shumanshëm, është dialogu me BE-në dhe dialogu me Serbinë. Unë jam shumë skeptik që mund të arrihet ndonjë marrëveshje e shpejtë me Serbinë, pa e parë një shtytje të madhe të BE-së dhe ShBA-së, për të arritur në pikën ku duhet të përfundoj dialogu. Ata na kanë dhënë mesazhe vazhdimisht, ne jemi përpjekur me zgjidh problemin, ndoshta problemi për mua ka qenë i zgjidhur, mos me pas nevojë shumë me debatuar, por sidoqoftë ne duhet punojmë dhe Qeveria duhet të jetë e angazhuar për të bërë politikë shtetërore në raport me dialogun”, theksoi tutje ai për EO.

Raportimi i fundit në Komisionin për Punë të Jashtme, nga zëvendësministri Besnik Bislimi ngjalli reagime dhe debate.Haliti thekson që raportimi ishte në mënyrë jo të rregullt dhe që sipas tij, Qeveria duhet ta ketë të qartë që Kosova është republikë parlamentare.“Po raportimi ishte i ftuar në mënyrë jo të rregullt për mua, sepse është thirrur personalisht nga kryetari i komisionit, pa marrë miratimin e anëtarëve të komisionit, në pamundësi për t’u përgatitur dhe pa materiale përkatëse që është dashur me i pas me vete, se çfarë do të raportojë. Megjithatë mirë është që ka zëvendëskryeministër, kemi debatuar ka dhënë opinionin e vet edhe në seancën e hapur dhe të mbyllur, nuk ka mbetur asnjë çështje për të cilën nuk ka dhënë përgjigje”.

“Prandaj mendoj që është obligim i secilit dikaster qeveritar që të raportojë në Kuvend dhe është diçka që mua më pengon jo vetëm tek kjo Qeveri, por në përgjithësi që akoma Qeveria e Kosovës nuk po e kupton se na jemi republikë parlamentare dhe nuk jemi republikë qeveritare dhe nuk po mund ta gjej ku është kontrolli qeveritar këtu”, përfundoi Haliti .