Përgjegjëse janë partitë politike

Ambasadorja Tracey Ann Jacobson pret zgjedhje të mira më 1 dhjetor, por thotë se për çdo parregullsi - përgjegjës do të jenë udhëheqësit politikë. Pohon të ketë kërkuar nga liderët që të zbusin tonet e ditëve të fundit, kur gjuha në fushatë u ashpërsua.

Lajme

29/11/2013 22:00

Ambasadorja e Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka thënë se Kosova më 3 nëntor ka dëshmuar se di të organizojë zgjedhje të mira, andaj ka kërkuar që edhe zgjedhjet e balotazhit të 1 dhjetorit të jenë të tilla.

Në një intervistë për Rubikon të KTV’së, Jacobson u ka bërë thirrje te qytetarët që të dalin në votime, ndërsa ka bërë të qartë mesazhin e saj se për çdo gjë në këtë proces zgjedhor, përgjegjësia bie mbi partitë politike.

“Raundi i parë ishte shumë i mirë, ne kemi parë shumë pak probleme. Rezultatet e atyre zgjedhjeve pasqyrojnë vullnetin e njerëzve”.

“Kosova ka dëshmuar se mund të organizojë zgjedhje të suksesshme dhe të gjithë kanë një rol për të luajtur”.

“Është kohë historike, raundi i parë ishte shumë i mirë, është hera e parë që serbët në Veri kanë mundësi që të zgjedhin kryetarët e tyre, hera e parë që zgjedhjet po mbahen në të gjithë territorin”.

“Në të njëjtën kohë, duhet mbajtur ky momentum edhe më 1 dhjetor, sepse sinqerisht pasi e kemi parë se sa mirë janë mbajtur zgjedhjet më 3 nëntor, askush në Washington nuk do ta kuptojë nëse në këto zgjedhje ka mashtrime”.

“Shpresojmë se gjithçka do të shkojë mirë, ashtu siç duhet, dhe gjërat do të jenë mirë”.

Ambasadorja Jacobson ka shfaqur shpresën që incidentet e 3 nëntorit në Veri të Mitrovicës të mos përsëriten.

Sipas saj, të gjithë kanë mësuar nga kjo ngjarje dhe tashmë janë më të përgatitur.

“Mendoj se gjërat në Veri këtë herë do të shkojnë mirë. Gjatë rivotimit e pamë se ishte qetë dhe pat dalje të mirë. Shpresoj që votuesit do të dalin dhe do të votojnë”.

“Po ashtu, kemi mësuar disa mësime, si Policia e Kosovës, si EULEX dhe KFOR, prandaj të gjithë do të angazhohemi që të kemi ambient të qetë dhe të sigurt në Veri”.

“Mendoj se EUELX, KFOR dhe Policia e Kosovës do të jenë në gjendje që të ofrojnë siguri më 1 dhjetor, që ambienti për votim të jetë i lirë dhe të mos ketë kërcënime. Votimi dhe numërimi që do të ndodhë në Veri është shumë me rëndësi që të kemi mbrojte sa më të mirë të tyre”.

Ambasadorja Jacobson, , në vijim të intervistës për Rubikon, u ka bërë thirrje të gjithëve që të dalin në votim, pa dallim nacionaliteti.

“Mesazhi im për votuesit, jo vetëm serbë, por të të gjithë nacionaliteteve, është që të dalin të votojnë, të zgjedhin atë që duan, në mënyrë që t’u dëgjohet zëri”.

Shqetësuese për Ambasadoren Amerikane, gjatë kësaj fushate të balotazhit, ka qenë edhe ashpërsimi i gjuhës, ku është dëgjuar kërcënim e kanosje.

Ajo ka pohuar të ketë kërkuar nga udhëheqësit politikë që të zbusin këto tone, sepse, tekefundit, ata do të jenë përgjegjës për gjithçka.

“Unë takohem me udhëheqësit politikë shpesh. Kam pasur një takim për kafe edhe para disa ditësh, për të biseduar për tonet pak problematike që po i dëgjojmë gjatë fushatës, si kërcënime dhe kanosje, sjellje këto të papranuara për çdo rast”

“Kam kërkuar nga udhëheqësit politikë që të flasin me aktivistët e tyre, me njerëzit nëpër terren, sepse fundja bashkësia ndërkombëtare do t’i mbajë partitë politike përgjegjëse për sjelljet e aktivistëve të tyre gjatë zgjedhjeve”.

“Është fatkeqësi që kemi pasur një lloj retorike – me kanosje dhe kërcënime. Shpresoj që votuesit do të kenë mjaft vetëbesim që kur të dalin në vendvotim, të votojnë në bazë të asaj se kë ata mendojnë se është udhëheqësi më i mirë”.

“Ata i njohin shumë mirë kandidatët, prandaj duhet të mendojnë cili se do të jetë më i miri që të udhëheqë Komunën e tij. Unë nuk mund të mendoj që dikush do të dëshironte të votonte për dikë që përdorë kërcënime dhe kanosje apo dhe premtime të bukura”.

Ambasadorja Jacobson, po ashtu, ka deklaruar se zgjedhjet nacionale mund të mbahen kurdo që udhëheqësit vendosin për një gjë të tillë. Por, ka bërë thirrje që në zgjedhje nacionale të mos shkohet pa reformë zgjedhore.

“Është punuar shumë për këtë reformë zgjedhore. Kanë mbetur edhe disa gjëra të papërfunduara. Ligjet e BE’së parashohin që vetëm pas 6 muajve të miratimit të reformës, të mund të shkohet në zgjedhje. Është mirë që pasi të kryhet reforma, të organizohen zgjedhjet”.