Përgëzim durimi për kosovarët dhe zëra kritikë përbrenda BE-së për mos-liberalizim vizash
Përfaqësues përbrenda institucioneve të Bashkimit Evropian kanë shtuar kritikat karshi unionit për mos-liberalizim vizash ndaj Kosovës, përkundër se kjo e fundit në raporte të përvitshme del se ka përmbushur të gjitha kriteret për lëvizje të lirë. Disa po e quajnë si rrezik për humbje kredibiliteti një lëvizje të këtillë, teksa disa të tjerë po përgëzojnë popullin e Kosovës për durimin e izolimit.

Lajme
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka thurur kritika ndaj BE-së për hezitimin që Kosovës t’i liberalizohen vizat, duke thënë se thirrjet që po bëhen nga PE-ja që të ndodh diçka e tillë, po hasin në veshë të shurdhër, raporton lajmi.net.
“Me gjithë faktin se i kanë përmbushur të gjitha kërkesat tona, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të kenë nevojë për viza për të hyrë në Bashkimin Evropian. Thirrjet e përsëritura të Parlamentit Evropian kanë hasur në veshë të shurdhër. Jo vetëm se kjo është e pandershme, por edhe e dëmton kredibilitetin e BE-së dhe na bën më të dobët”, ka thënë ajo në një konferencë për Ballkanin Perëndimor.
Ndonëse qëndrimet e PE-së nuk janë të obligueshme për vendet anëtare të BE-së, raportet e përvitshme që dalin nga ky institucion evropian konstatojnë se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat në mënyrë që qytetarët e saj të lëvizin pa viza në zonën Schengen.
Në draft-raportin e përpiluar nga raportuesja për Kosovën e PE-së për këtë vit, konstatohet se kriteret për liberalizim vizash nga ana e Kosovës janë përmbushur që nga 2018-a.
Në anën tjetër, admirim për kosovarët për durimin e procesit të liberalizimit të vizave ka shprehur eurodeputeti Lukas Mandl. Ky i fundit deklaroi se ka humbur durimin për një gjë të tillë.
“Unë e admiroj durimin e qytetarëve të Kosovës për mosliberalizimin. Unë e kam humbur durimin tim, sepse nuk ka asnjë argument pse nuk është hequr ky regjim siç ka ndodhur dhe me 5 shtetet e tjera të rajonit. Por, kjo është një gjë e vogël, duhet të hedhim edhe hapa të tjerë që lidhen me përfshirjen e Kosovës dhe integrimin në BE”, është shprehur Mandle.
Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, në një shkrim të përbashkët me aktivistin Stefan van Dijk në gazetën ‘Trouw’, përpara tri javësh kërkuan nga vendi i tyre, Holanda – skeptike për Kosovën – që të liberalizojnë vizat për kosovarët.
“Duke mos i mbajtur premtimet, rrezikojmë ta largojmë popullin e Kosovës nga ne. Kjo nuk është në interesin e askujt, as në tonin”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e tyre.
Ish-ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Michael Roth, përgjatë një takimi që pati muajin e kaluar me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kërkoi që BE-ja të mbajë premtimin për liberalizim vizash ndaj kosovarëve.
“I dashur Miroslav Lajçak, faleminderit për vizitën tuaj dhe punën tuaj të shkëlqyer. Shtetet e Ballkanit Perëndimor na përkasin neve dhe meritojnë më shumë se fjalët e thëna. BE-ja duhet të mbajë premtimet e saj: fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe liberalizimin e vizave për Kosovën. Demokracia dhe sundimi i ligjit kanë rëndësi”, shkroi ai.
Për realizimin e premtimit të BE-së, i të njëjtit mendim ishte edhe Lajçak.
Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në anën tjetër, tha para dy javësh sa i përket Gjermanisë, të gjitha kriteret për vizat, Kosova i ka përmbushur.
“Sa i përket Gjermanisë, të gjitha kriteret për vizat, Kosova i ka përmbushur, kurse sa i përket Francës, nuk mund të jap ndonjë interpretim në emër të tyre”, ka thënë Sarrazin.
Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim vizash me BE-në, pavarësisht përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
Pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, janë: Greqia, Rumania, Qiproja, Spanja dhe Sllovakia.
Përfaqësues të institucioneve kosovare vazhdojnë t’u bëjnë thirrje këtyre pesë shteteve që ta njohin Kosovën. /Lajmi.net/