Përgatitje për dhunë nesër nëpër rrugët e Prishtinës?

​Partitë opozitare duket se e kanë një plan ogurzi për ditën e nesërme, kur është paraparë mbledhja e Kuvendit të Republikës. “Gjasat janë që të derdhet gjak”, thonë burime të Gazetës Express të afërta me organet e sigurisë.

Lajme

14/10/2015 23:01

Në orën 10:00 është caktuar nisja e seancës plenare, ndërkohë që çdo deputet – përfshirë ministrat, kryeparalamentarin dhe vetë kryeministrin – pritet të kontrollohen imtësisht në hyrje të ndërtesës.

Burime të Gazetës Express thonë se partitë opozitare kanë porositur deputetët e tyre që mos t’i lejojnë policët t’i kontrollojnë në trup, duke provokuar kështu incidente në hyrje të ndërtesës.

Por jo vetëm kaq.

“Partitë opozitare kanë thirrur përkrahësit e tyre që të tubohen në shesh, pranë ndërtesës së Kuvendit”, ka thënë një burim i Gazetës Express.

Përfaqësuesit e organeve ligjzbatuese dhe diplomatët perëndimorë janë tejet të shqetësuar me këtë situatë.

“Kemi informacione se disa njerëz me precedent penal do të jenë aty”, ka thënë burimi i Gazetës, i cili iu referohet informatave që kanë marrë në rrugë operative mbrëmjen e sontme.

“I frikohemi më të keqes”, thotë burimi i Gazetës Express.

Opozita planifikon të mbledh njerëz nga frika se Kryerlamentari mund të urdhërojë sigurimin e Kuvendit që t’i nxjerr jashtë deputetët e opozitës.

Partitë opozitare, të prira nga Vetëvendosje, ka kohë që po bllokojnë mbajtjen e seancave të Kuvendit, duke kundërshtuar në këtë mënyrë, marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe.

Në seancën e fundit, kundërshtimi kaloi në dhunë, ku deputetë të opozitës hodhën edhe gaz lotësjellës në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili hodhi gazin lotësjellës në Kuvend gjatë seancës së fundit, u arrestua të hënën në Prishtinë, rreth orës 21:00, pikërisht për këtë vepër.

Kjo bëri që shumë aktivistë të Vetëvendosjes, të prirë edhe nga deputetë e krerë të partive të tjera opozitare (AAK dhe Nisma), të protestonin dhunshëm deri në orët e mesnatës nëpër rrugët e kryeqytetit.

Ata, fillimisht mësyen stacionin policor në qendër të Prishtinës ku edhe po intervistohej Kurti.

Protesta eskaloi në dhunë. U hodhën gurë në drejtim të stacionit policor, u dogjën tri vetura të Prokurorisë, etj.

Ndërkohë, Albin Kurti, paralajmëron se edhe nesër do të përdoren metoda të ngjashme në Kuvendin e Kosovës.

Këtë, ai e ka konfirmuar në emisionin “Opinon” të Blendi Fevziut.

“Do të veprojmë me metoda të ngjashme”, përgjigjet Kurti, në pyetjen se çka do të bëjë opozita nesër në Kuvend.