Përfundon takimi në Bruksel, Kosova dhe Serbia pajtohen për zbatim të plotë të deklaratës për personat e zhdukur
Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve të dyja vendeve ne të dërguarin e Bashkimit Evropian në Bruksel të martën. Shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, e konfirmuan këtë pas takimit me…
Lajme
Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve të dyja vendeve ne të dërguarin e Bashkimit Evropian në Bruksel të martën.
Shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, e konfirmuan këtë pas takimit me përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Bislimi tha se Kosova dhe Serbia do ta kenë një komision të përbashkët, i cili do të fillojë të merret me këto çështje që nga janari.
“Tani mund të ecim tutje që gjatë muajit të ardhshëm të mbahet mbledhja e parë e komisionit të përbashkët. Ka premtime nga ana e Serbisë që nuk do të ketë tendenca që në të ardhmen puna e këtij komisioni të pengohet”, tha Bislimi.
Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta.
Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.
Por, deri tani, asnjë prej këtyre nuk është realizuar në praktikë.
Takimi i fundit në këtë nivel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel. Prej atëherë nuk ka pasur takime tjera.
Bislimi tha se çështja e personave të zhdukur ishte vetëm njëra nga temat që u trajtuan të martën në Bruksel.
Ai tha se në takimin me Lajçakun diskutoi edhe marrëveshjen për energjinë, duke thënë se i nënvizoi “shkeljet” që i ka bërë Serbia marrëveshjes së telekomit dhe, “sidomos duke mos aktivizuar linjat e interkoneksionit”.
Petkoviq tha se është diskutuar edhe për menaxhimin e integruar të kufijve, për certifikatat veterinare, është kërkuar që të hapen edhe vendkalimet e tjera për mallrat serbe, dhe telekomunikacioni.
Ndërkohë, Bislimi shtoi se ajo për çfarë ai shprehu brengosje në veçanti se Serbia nuk dëshiron ta lejojë Qeverinë e Kosovës t’i ndihmojë shqiptarët në Luginën e Preshevës.
“Ministria përkatëse në Serbi dëshiron ta detyrojë këshillin kombëtar shqiptar ta tërheqë thirrjen për ndihma humanitare për fermat në Serbi, përkundër faktit se ka transparencë të plotë në të”, tha Bislimi.
Sulmi në Ibër-Lepenc
Bislimi tha se Lajçaku e dënoi sërish sulmin e 29 nëntorit ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës dhe se ka ofruar ndihmën e BE-së në hetimin e këtij rasti.
Petkoviq tha se i pari ka ngritur çështjen e “incidentit” në Ibër-Lepenc, duke e akuzuar Kosovën për përhapjen e “akuza të rreme se Beogradi zyrtar është i përfshirë në atë sulm”.
“E pyeta Bislimin nëse kanë ndonjë provë konkrete. Natyrisht që nuk kanë asnjë provë, sepse është e qartë që Beogradi nuk ka asnjë lidhje me këtë”, tha Petkoviq.
Serbia i ka mohuar vazhdimisht akuzat e Kosovës se ajo ka gisht në këtë sulm.
Ndërkohë, Petkoviq tha se për serbët në Kosovë dhe për Beogradin është e rëndësishme çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe depërshkallëzimi.
“Për këtë kemi folur me forcë dhe kemi insistuar edhe në takimin bilateral direkt me zotin Bislimi”, tha ai.
Ky mund të ketë qenë takimi i fundit i ndërmjetësuar nga Lajçaku, të cilit do t’i përfundojë mandati në fund të muajit janar.
Ndërkohë pritet që Kaja Kallas, në bashkëpunim me vendet anëtare, të vendosë lidhur me vazhdimin e dialogut, përfshirë edhe rreth asaj se a do të ketë pasardhës të Lajçakut në atë pozitë dhe kush do të jetë ai. REL