Përfundon misionin luftarak, fillon ai mbështetës në Afganistan

Përmes një ceremonie simbolike në bazën ushtarake në Kabul, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, zyrtarisht i kanë dhënë fund luftës së tyre në Afganistan.

Bota

28/12/2014 13:45

Ceremonia shënoi fundin e forcës ndërkombëtare të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë luftuar kryengritje të vazhdueshme që nga përmbysja e regjimit taleban në vitin 2001, raporton REL.

Komandanti i forcave ndërkombëtare në Afganistan, gjenerali amerikan John Campbell e ka mbështjellë flamurin ngjyrë gjelbër dhe bardhë, që i ka përfaqësuar forcat ndërkombëtare, ndërsa e ka ngritur një flamur të ri, që paraqet simbolin e misionit të ri që do të ketë rol mbështetës.

Misioni i ri mbështetës do të ketë në përbërje 13 mijë e 500 ushtarë, shumica amerikanë.

SHBA-ja dhe NATO-ja në Afganistan kanë pasur deri në 140 mijë trupa nga 51 vende të ndryshme.

Rreth 3 mijë e 500 ushtarë të huaj kanë vdekur në fushatën 13 vjeçare, në mesin e të cilëve 2 mijë e 224 amerikanë.