Përfundon administrimi i provave në rastin e PTK-së

Të martën ka përfunduar procedura e administrimit të provave në rigjykimin për korrupsion ndaj tre ish-drejtuesve të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj.

Lajme

31/08/2021 14:30

Pas dëgjimit të dëshmitarit Blerim Devolli, u konsideruan të lexuara dëshmitë e disa dëshmitarëve.

Në seancën e së martës u administruan edhe provat materiale të propozuara nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori special, Naim Abazi propozoi që të gjitha provat materiale të konsiderohen të lexuara.

“Meqenëse tashmë kemi kaluar në administrimin e provave materiale dhe jemi në rigjykim, konsideroj se duhet të konsiderohen të lexuara të gjitha provat materiale për shkak të ekonomizimit të kohës”, tha prokurori Abazi.

Me një propozim të tillë u pajtuan edhe palët tjera në procedurë, mirëpo trupi gjykues mori vendim qe të lexohen provat materiale për shkak të ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues.

Pas leximit të provave materiale, palët u deklaruan pa vërejtje dhe procedura vazhdoi me plotësimin e provave të propozuara nga të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.

Gjykata më pas mori aktvendim me të cilin aprovoi pjesërisht propozimet e mbrojtësve të t akuzuarve.

Trupi gjykues administroi si provë edhe provat e propozuara nga i akuzuari Ejup Qerimi, si komunikimi midis “PTK” dhe “Monaco telecom” si dhe aktvendimi i Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Po ashtu, trupi gjykues administroi si provë edhe provat e propozuara nga mbrojtësi i të akuzuarit Rexhë Gjombalaj, si kundërshtimi kundër propozimit për njohjen e arbitrazhit si dhe kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë së prokurorit të shtetit.

Ndërkaq, u refuzua propozimi për t’u administruar si provë një vendim propozuar nga mbrojtësi i të akuzuarit Mustafa, avokati Artan Qerkini.

Kjo me arsyetimin se njëherë për njëherë gjykata nuk mund të vendosë, pasi që kjo provë është siguruar përmes ueb faqes dhe trupi gjykues zyrtarisht do të kërkojë një vendim të tillë dhe të vërtetohet autenticiteti i saktë i këtij vendimi.

Seanca më pas u ndërpre për të vazhduar më 16 shtator 2021, nga ora 14:00, ku pritet të ipet mbrojtja e të akuzuarve dhe fjala përfundimtare e palëve.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ndryshuar në seancën e 20 majit 2021, Ejup Qerimi nga shkurti 2012 e deri në tetor 2014, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, me qëllim që ti shkaktoj dëm PTK-së duke mos e zbatuat kontratën e lidhur me Z-Mobile të datës 16 janar 2009.

Për shkak të kësaj, sipas PSRK-së kishte ardhur deri tek vonesa në lifterimin e sim-kartelave, duke mos e furnizuar operatorin “Dardafon.net L.L.C”, (Z-Mobile) me bllokun e numeracionit, edhe pse nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ishte marrë vendim për rezervimin e serisë se numeracionit 045 për përdorim nga Z-Mobile.

Mirëpo sipas PSRK-së, Qerimi me dashje dhe duke qenë në dijeni kishte refuzuar që ti zbatojë këto vendime të plotfuqishme, ku si rezultat i kësaj procedura ishte zhvilluar pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, e cila gjykatë e kishte vlerësuar përgjegjës PTK-në.

Për këtë, Telekomi i Kosovës ishte detyruar që Z-Mobile t’ia paguajë shumë 32,856,407.28 euro, pa i llogaritur shpenzimet e krijuara lidhur me procedurat gjyqësore.

Edhe i akuzuari Agron Mustafa sipas aktakuzës së ndryshuar, po dyshohet se nga 23 shkurti 2015, në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, deri në fillim 2018, nuk e kishte zbatuar vendimin e ARKEP-it për rezervimin e serisë së numeracionit 045 për Z-Mobile dhe nuk e kishte parandaluar inicimin e procedurën pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Ndërsa Rexhë Gjonbalaj sipas kësaj aktakuze, nga 16 janari 2009, nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare të kryesuesit të Bordit të Drejtorëve të PTK-së, nuk kishte marrë asnjë vendim për përmbushjen e obligimeve sipas vendimit të ARKEP-it edhe pse nga përfaqësuesit e Z-Mobile dhe nga drejtorit menaxhues Milot Gjikolli, i ishte tërhequr vërejtja se nëse përmbushen obligimet e dëmtuara çështjen do ta dërgoj në Arbitrazh.

Për këto veprime, tre të akuzuarit po dyshohen se kanë krye veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga nenin 422, paragrafi 1, i Kodit Penale të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, aktakuza në këtë rast ishte ngritur me 17 gusht 2018, ndërsa seanca fillestare ishte mbajtur me 27 shtator 2018, ku tre të akuzuarit kishin mohuar në tërësi aktakuzën e PSRK-së, ndërsa me 7 nëntor 2018 kishin kërkuar që të hudhet kjo aktakuzë.

Këto kërkesa të tyre i kishte marrë për bazë edhe gjykatësi i këtij rasti, Lutfi Shala i cili në dhjetor 2018 e kishte hudhur poshtë këtë aktakuzë, me pretendimin se nuk ishte vërtetuar se të akuzuarit kishin keqpërdorur detyrën zyrtare.

Por, në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e PSRK-së, të ushtruar ndaj këtij aktvendimi, duke vlerësuar se kjo çështje duhet të gjykohet.

Pas tetë seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, me 21 tetor 2019, me arsyetimin se nuk kishte pasur prova të besueshme, i kishte liruar nga akuzat tre ish-drejtuesit e PTK-së.

Sipas gjykatësit Shala, gjykata kishte gjetur se të gjitha provat e propozuara nga PSRK-ja, si dëshmitar, e po ashtu edhe provat tjera materiale vetëm kanë konstatuar ekzistimin e një marrëdhënieje kontraktuale juridiko-civile dhe asgjë më shumë.

Mirëpo, kundër këtij aktgjykimi lirues, ankesë kishte paraqitur PSRK, për shkak të pretendimeve për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, duke propozuar që ky aktgjykim të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Këto pretendime të PSRK-së i kishte marrë për bazë Gjykata e Apelit e cila në maj të vitit 2020, këtë rast e kishte kthyer në rigjykim.